Përmbysjet e mëdha që ndodhën pas zgjedhjeve në Kosovë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Viti 2021 transformoi institucione e parti. Brenda një viti Kosova u bë me Qeveri të re e edhe me president e kryeparlamentar të ri. Me lidership të ri u bënë edhe PDK-ja e LDK-ja. Dhe vota e koncentruar fillimisht në Vetëvendosje, në vjeshtë u rivendos tek partitë opozitare.

Kaosi politik nga i cili u dominua i gjithë viti paraprak u përcoll edhe në 2021-tën. Por zgjedhjet e parakohshme nacionale që u organizuan në fillimvit siguruan stabilitet më afatgjatë, meqë për herë të parë pas luftës e nxorën një parti fituese me më shumë se 50 për qind të votave.

Por nuk ishte kjo e vetmja përmbysje. Verdikti qytetar prodhoi “termet” në skenën politike. Brenda një viti Kosova u bë me Qeveri të re e edhe me president e kryeparlamentar të ri. Me lidership të ri u bënë edhe PDK-ja e LDK-ja. Dhe vota e koncentruar fillimisht në Vetëvendosje, në vjeshtë u rivendos tek partitë opozitare.

Përmbysja e parë

Një votë e koalicionit që e kishte rrëzuar me mocion mosbesimi Albin Kurtin dhe e zgjodhi për kryeministër Avdullah Hotin u bë sebep që Qeveria e re të binte shpejt.

Gjykata Kushtetuese dha verdiktin për votën e deputetit Etem Arifi, falë së cilës ishte zgjedhur Qeveria Hoti. E shpalli të pavlefshme atë dhe tha se vendi duhej të shkonte në zgjedhje të parakohshme, meqë duke pasur paraprakisht një dënim të formës së prerë, Arifi nuk do të duhej të certifikohej si kandidat për deputet dhe as ta ushtronte detyrën pas zgjedhjes.

Kurti kërkoi zgjedhje të menjëhershme.

“Kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet që të ecim sa më shpejt, që duke u kthyer tek populli si burim i sovranitetit të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re e kompetente”, kërkoi ai.

Vjosa Osmani ushtronte detyrën e presidentes, post i lënë bosh pasi në vitin paraprak Hashim Thaçi u dorëhoq, për t’u vendosur në Hagë në paraburgim, pas aktakuzës për krime lufte që ia ngriti Specialja.

Osmani nuk vonoi me vendimmarrjen. Pasi zhvilloi konsulta me përfaqësues të partive politike, qysh në javën e parë të vitit 2021 e shpërndau Kuvendin dhe caktoi 14 shkurtin datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.

Para zgjedhjeve, Avdullah Hoti që drejtonte Qeverinë e rrëzuar nga Kushtetuesja kishte një pritje tjetër nga gara.

“Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për gjashtë- shtatë muaj në krye të Qeverisë, ne jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje”, ishte paralajmërimi i Hotit.

Hoti, që i priu listës së LDK-së, ia huqi me pritjen për rezultatin. LDK-ja përjetoi rënien më të madhe në historinë tridekadëshe. Siguroi vetëm 110.985 vota, përkatësisht 12,73 për qind. Nuk arriti fitore në asnjë komunë.

Hoti ia faturoi vetes përgjegjësinë.

“Para jush dua të them se e marr përgjegjësinë e plotë për rezultatet dhe do të diskutoj me organet e partisë”, ka thënë ai.

Përpos votës ndëshkuese për sjelljen që LDK-ja e demonstroi në raport me Vetëvendosjen, këtij rezultati i kontribuoi edhe largimi i Vjosa Osmanit nga kjo parti, bashkë me një numër eksponentësh të LDK-së. Të pakënaqurit e identifikuan veten si “Lista Guxo”. Lista nuk guxoi t’i rrekej garës si e vetme. Kësisoj, nuk aplikoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar e certifikuar, por u përfshi në listën e kandidatëve të Vetëvendosjes.

Rezultati e çoi në dorëheqje kryetarin e deriatëhershëm të LDK-së, Isa Mustafa, ani se nuk ishte pjesë aktive e fushatës.

“Në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar Kryesinë se do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, në një periudhë shumë të shpejtë kohore”, paralajmëroi Mustafa të nesërmen e zgjedhjeve.

Tkurrje pësoi edhe Partia Demokratike, e cila nuk mundi të “rimëkëmbej” pas rezultatit zhgënjyes që kishte marrë në zgjedhjet paraprake. Në këto zgjedhje hyri pa kryetar, meqë deri atëherë nuk e zëvendësoi dikush Kadri Veselin e dorëhequr paraprakisht, për t’u përballur me Gjykatën e Hagës.

Detyrën e kryetarit e ushtroi Enver Hoxhaj, por ai nuk mbërriti ta mobilizonte elektoratin. Për pasojë, e ruajti shumicën vetëm në bastionet e saj, Skenderaj dhe Drenas. Gjithsej, në nivel vendi arriti të marrë 148.285 vota, përkatësisht 17 për qind.

Krahas subjekteve nga komunitetet, vetëm edhe një parti tjetër arriti të hyjë në Kuvend – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Edhe kjo e ruajti fuqinë në rajonin ku e ka bazën – në Deçan e Junik. U rendit si forcë e katërt me 62.111 vota, ose 7.12 për qind.

E Nisma Socialdemokrate nuk arriti ta kalojë pragun prej 5 për qind të votave për të hyrë në Kuvend, duke bërë që lideri i saj, Fatmir Limaj, për herë të parë të mbetet pa ndonjë funksion, ani se iu rrek garës.

Përmbysjen e bëri Lëvizja Vetëvendosje. Nën sloganin “Krejt dhe drejt”, fitoi gjithçka. Ajo shënoi një rezultat historik, të cilin nuk e ka mbërritur asnjë parti pas luftës – mori 438.335 vota, përkatësisht 50.28 për qind.

Kjo ia dha mundësinë Kurtit të mos marrë në koalicion ndonjërën nga partitë shqiptare.

“Ky rezultat tani neve na e konfirmon se nuk kemi nevojë, përveçse nuk kemi interes për ata të cilët duhet të reformohen në opozitë”, tha ai mbrëmjen e 14 shkurtit, pas kumtimit të rezultatit.

Përmbysja e dytë

Reformimi ndodhi, pasi Vetëvendosje mori krejt pushtetin: kryeministër u bë Albin Kurti, Vjosa Osmani presidente e Glauk Konjufca kryeparlamentar.

Kuvend zgjedhor thirri PDK-ja. Memli Krasniqi u zgjodh kryetar dhe ai po atë ditë kumtoi rrugë të re për partinë.

“Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë drejt, saktë, kërkesën e disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk e kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm, sepse nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje krejt njëjtë”, ishte paralajmërimi i Krasniqit. “Prandaj është e nevojshme që të çlirojmë gjithë potencialin tonë të brendshëm, por edhe të hapemi. Duhet të hapemi”.

Ngjashëm ndodhi edhe në LDK, paraprakisht. Kuvendi që u thirr pas dorëheqjes së Mustafës e nxori kryetar Lumir Abdixhikun, në një garë të fortë me Lutfi Hazirin. Ai dha një zotim.

“Rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mira që i kemi në LDK. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne… Rruga përpara kërkon hapjen e dyerve për mendjet më të mira që i ka Republika e Kosovës”, tha Abdixhiku pas zgjedhjes. “Rruga përpara mbi të gjitha kërkon reformë, dhe reformë do të kemi ne”, tha Abdixhiku.

Ndryshimet dhanë rezultate.

Dhe, këtë e ndjeu edhe Vetëvendosje, përpara se të shpalleshin zgjedhjet e rregullta lokale. Prandaj pati një iniciativë për t’i shtyrë ato, nën justifikimin se fushata mund ta përsëriste një valë të re të infektuarish me virusin që e shkakton pandeminë COVID-19.

Vala paraprake që në këtë kohë i ishte ulur intensiteti në një masë, theu rekorde të zeza për nga numri i të infektuarve dhe i të vdekurve, dhe për të opozita bëri me gisht kah qeverisja e Vetëvendosjes, e cila gjatë verës i hoqi masat kufizuese kundër pandemisë, me të mbërritur diaspora.

Opozita me tone të forta kundërshtoi nismën për shtyrje të zgjedhjeve, dhe kësaj iu bind presidentja Osmani, ani se operonte me arsyet që i jepte Vetëvendosje.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në vjeshtë ndodhi përmbysja e re.

Vetëvendosje në komulativ nuk mori as gjysmën e votave të zgjedhjeve nacionale të shkurtit. Fitoi në gjithsej katër komuna, një më pak se AAK-ja. Humbi Prishtinën e Prizrenin, ndërkaq nga qendrat e mëdha mori vetëm Gjilanin.

Nga arsyet për këtë rënie u përmendën: mospërmbushja e pritjeve të mëdha që ishin për qeverisjen e nivelit qendror, keqmenaxhimi me pandeminë, kandidaturat jopërfaqësuese për kryetarë komunash dhe disa veprime të bëra në fushatë nga qeveritarët e deputetët, veçmas përdorimi i aseteve shtetërore për qëllime të fushatës.

Por kryeministri pati një justifikim tjetër për disfatën.

“Rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme, të cilat ne duhet t’i analizojmë më gjatë në vijim, si dhe i bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër Vetëvendosjes”, tha Kurti.

Shumë më mirë dolën PDK e LDK, të cilat bënë ndryshime në lidership pas zgjedhjeve nacionale. Të dyja i fituan nga 8 komuna.

LDK-ja e rimori Prishtinën dhe e mbajti Pejën.

Ndërkaq, PDK-ja shënoi rezultatin më të mirë. Krahas Ferizajt që e mbajti, i rimori edhe dy qendra të mëdha: Prizrenin dhe Mitrovicën.

Kësisoj, përmbysjet e vitit 2021 transformuan institucione e parti. Përpos që Kosova u bë me Qeveri të re, e edhe me president e me kryeparlamentar të ri, edhe dy partive kryesore opozitare iu ndërruan liderët. Dhe, vota e koncentruar fillimisht në Vetëvendosje u rivendos pastaj tek partitë opozitare.

You may also like