Përfundon seanca mbi kërkesën për një ekspert ligjor të posaçëm për dokumentet e marra nga Trump

by admin
Spread the love

Një gjykatëse federale dëgjoi të enjten argumentet lidhur me kërkesën e avokatëve të ish-presidentit Trump për emërimin nga Departamenti i Drejtësisë të një eksperti ligjor të pavarur për analizimin e dokumenteve të marra nga FBI-ja në shtëpinë e zotit Trump në Florida, muajin e kaluar.

Gjyktësja federale Aileen Cannon nuk mori një vendim të menjëhershëm për çështjen. Ajo pritet të njoftojë vendimin më vonë.

Avokatët e ish-presidentit Trump thonë se emërimi i një eksperti ligjor është i nevojshëm për të siguruar një shqyrtim të pavarur të dokumenteve. Ky lloj rishikimi, thonë ata, do të lejonte që “informacionet shumë personale”, sikurse shënimet personale, të ndahen nga hetimi dhe t’i kthehen zotit Trump, së bashku me çdo dokument tjetër që mund të mbrohet nga privilegji që gëzojnë me ligj komunikimeve e avokatit me klientin, por dhe ai ekzekutiv, që gëzon zoti Trump.

Departamenti i Drejtësisë thotë se emërimi i një eksperti ligjor të pavarur është i pajustifikuar pasi hetuesit tashmë kanë përfunduar shqyrtimin e të dhënave potencialisht të privilegjuara dhe kanë identifikuar “një grup të kufizuar materialesh që mund përmbajnë informacione të privilegjuara të komunikimit avokat-klient”.

Qeveria amerikane thotë se ish-presidenti Trump nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kthimin e dokumenteve presidenciale, sepse ato nuk i përkasin atij. Departamenti i Drejtësisë ka shprehur gjithashtu shqetësime se emërimi i një eksperti të pavarur do të mund të zvarriste hetimin, pjesërisht sepse eksperti mund të duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të biografisë për të marrë autorizim special nga agjencitë e zbulimit, për të parë dokumentet e klasifikuara.

Gjykatësja Cannon tha të shtunën e kaluar se “qëllimi i saj paraprak” ishte të emëronte një ekspert ligjor të pavarur. Nuk është e qartë nëse ajo mund të ndikohet nga argumentet që ka paraqitur Departamenti i Drejtësisë se dokumentet, potencialisht të privilegjuara, tashmë janë analizuar.

Gjithashtu nuk është e qartë se kush mund të emërohet në rolin e ekspertit të jashtëm. Në të kaluarën, në disa raste të profilit të lartë, ky rol është plotësuar nga ish-gjykatësit federalë.

Gjykatësja Cannon u emërua nga zoti Trump në vitin 2020 dhe u konfirmua nga Senati me 56 vota pro dhe 21 kundër po atë vit. Ajo ka punuar si ndihmës prokurore në Florida, që merrej kryesisht me ankesa penale.


Top Channel

You may also like