Përfaqësuesja e Kosovës mban seancën e dytë stërvitore në prag të miqësores me Burkina Fason

by admin
Spread the love

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur seancën e dytë stërvitore në prag të miqësores me Burkina Fason, që zhvillohet më 24 mars.

Në stërvitjen e sotme, e cila u mbajt në Kampin Nacional në Hajvali, përzgjedhësi Alain Giresse kishte në dispozicion të gjithë lojtarët, duke përfshirë edhe mbrojtësin e Ballkanit të Suharekës, Lumbardh Dellova, i cili u ftua në ekip pasi anëtari i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti pësoi lëndim në fundjavë.

Atmosfera në stërvitje ishte shumë e mirë, derisa edhe forma e futbollistëve duket të jetë në nivelin e duhur. Gjatë kësaj stërvitje Dardanët kanë punuar me përkushtim, teksa trajneri francez ka vëzhguar me kujdes lëvizjet e secilit futbollist dhe ka dhënë këshillat e tij rreth filozofisë së tij të lojës.

Pas stërvitjes opinionet e tyre për miqësoren kundër Burkina Fasos i dhanë Vedat Muriqi dhe Elbasan Rashani.

“Po duket që krejt lojtarët janë në formë të mirë. Presim dy ndeshje të vështira por presim lojë të mira. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme për atë që na pret verës në Ligën e Kombeve. Burkina Faso është shumë e fortë. Kanë arritur në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës dhe kanë lojtarë mjaft të mirë dhe normalisht se duhet pasur kujdes. Në këtë nivel nuk ka ndeshje të lehta. Jemi njoftuar tani me trajnerin e ri dhe duket se ka filozofi të mirë për ekipin tonë“, ka theksuar Rashani.

Ndërkaq, Muriqi është shprehur: “Jemi duke vazhduar me punën tonë dhe do të japim maksimumin si gjithmonë. Edhe pse nuk e njohim Burkina Fason, pak a shumë kemi filluar ta njohim dhe t’i shohim pikat e tyre të dobëta dhe me forcën tonë besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv. Shpresoj ta përdorim këtë periudhë të mirë. Kur kemi pasur serinë pozitive prej 13 ndeshjeve pa humbje kemi qenë sikur tash të gjithë në formë dhe shpresoj ta përdorim këtë moment të mirë dhe të arrijmë rezultate të mira. Trajneri i ri? Ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet të zbatojmë teknikën dhe taktikën e tij. I urojmë mirësardhje atij dhe shpresojmë që të kemi rezultate të mira së bashku me të”.

Dardanët nesër e zhvillojnë stërvitjen e fundit para ndeshjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 16:00, derisa paraprakisht Giresse dhe njëri nga lojtarët do të paraqiten në konferencë për media në orën 15:30. 

You may also like