“Perëndimi na ka shpallur luftë”, Rusia: Zgjerimi i NATO-s në Finlandë dhe Suedi do të ketë pasoja

by admin
Spread the love

Rusia nuk do të qëndrojë indiferente lidhur me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit Rus, Dmitry Medvedev, paralajmëroi se Rusia do të duhet t’i shtojë forcat e saj tokësore dhe të mbrojtjes ajrore dhe të vendosë forca të konsiderueshme detare në Gjirin e Finlandës në momentin që dy vendet e Europës veriore bëhen pjesë e aleancës së Atlantikut Verior.

“Nëse Suedia dhe Finlanda hyjnë në NATO, gjatësia e kufijve tokësorë të aleancës me Federatën Ruse do të dyfishohet”, citohet Medvedev nga agjencia RIA. Ai thekson se në rast të anëtarësimit “përgjigja e Rusisë do të jetë në Balltik”.

Finlanda dhe Suedia kanë bërë të ditur ditët e fundit planet për t’u përfshirë në NATO, duke braktisur kështu dekada të tëra neutraliteti.

Gazeta britanike “Times”, pak ditë më parë, duke iu referuar disa zyrtarëve amerikanë, shkruan se anëtarësimi i dy vendeve në aleancë është bërë “temë diskutimesh dhe takimesh të shumta” në bisedimet midis ministrave të Jashtëm të NATO-s. Finlanda pritet ta paraqesë kërkesën zyrtarisht në qershor, e ndjekur nga Suedia.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha sot se “me pretekstin e krizës ukrainase, Perëndimi na ka deklaruar një luftë hibride pothuajse totale, që mbulon sektorë të ndryshëm, edhe informacionin”.

Lavrov shtoi gjatë konferencës “Digital International Relations 2022” në Moskë se “Perëndimi ka marrë titullin e farit të demokracisë, por po tradhton detyrimet ndërkombëtare për të garantuar shprehjen e lirë të opinionit dhe barazinë në aksesin e informacionit”.

Ndjenja e rrethimit nga ana e Moskës, gjatë ditëve të fundit, del në pah edhe nga deklarata e ish-presidentit rus, Dmitry Medvevev, sot zëvendëspresidenti i Këshillit të mbrojtjes ruse, mbi vendimin e vendeve si Suedia dhe Finlanda, dy vende historikisht neutrale në kufi me Rusinë, për anëtarësim në NATO.

You may also like