Perëndimi ka nevojë për udhëheqjen e Amerikës – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Jamie Dimon

“Wall Street Journal”

Pushtimi rus i Ukrainës përgënjeshtroi shumë supozime mbi të ardhmen e botës, prandaj ishte një moment kyç në histori. Amerika dhe Perëndimi nuk mund të mbajnë më një ndjenjë të rreme sigurie, bazuar në iluzionin se diktaturat dhe kombet shtypëse nuk do të përdorin fuqitë e tyre ekonomike dhe ushtarake për të çuar përpara synimet e tyre, sidomos ndaj atyre që i perceptojnë si demokraci perëndimore të dobëta, të paafta dhe të çorganizuara.

Në një botë të trazuar, ngjarjet po na rikujtojnë faktin se siguria kombëtare është dhe do të jetë gjithmonë parësore, edhe nëse duket sikur kjo rëndësi zbehet disi në kohë më të qeta.

Po ashtu duhet ta heqim njëherë mirë nga koka idenë se Amerika mund t’ia dalë e vetme. Udhëheqësit amerikanë duhet ta vënë gjithmonë Amerikën në plan të parë, por paqja dhe rendi global është një interes jetik i SHBA-së. Vetëm Amerika ka aftësinë e plotë për të udhëhequr dhe bashkuar botën perëndimore, edhe pse duhet ta bëjmë këtë me respekt dhe në partneritet me aleatët tanë.

Pa një bashkëpunim dhe unitet me aleatët tanë, forcat autokratike do të përçajnë dhe pushtojnë Perëndimin grindavec. Amerika duhet të udhëheqë me forcat e saj, jo vetëm ushtarake, por edhe ekonomike, diplomatike dhe morale. Ja çfarë mund të bëjmë:

Së pari duhet t’i ri-përkushtohemi cilësive dhe parimeve që e bënë dikur Amerikën madhështore. Këto parime janë jeta, liria, kërkimi i lumturisë, dhe ideja se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë. Demokracia dhe liria e njeriut janë të pandashme nga liria e fjalës, liria e fesë dhe ajo e sipërmarrjes. Të gjithë amerikanët duhet të dinë mbi sakrificën e atyre që erdhën para nesh për demokracinë, si brenda po ashtu dhe jashtë vendit.

Ne duhet ta pranojmë rolin kritik që luan qeveria, dhe kemi nevojë që kjo e fundit të jetë më kompetente dhe më e përgjegjshme. Ne duhet të ndërtojmë rrjete sigurie më të forta për t’u kujdesur për të varfrit, të moshuarit dhe të paaftët, dhe për të zbutur përshtatjen ndaj ndryshimeve ekonomike, duke ruajtur gjithashtu dinamizmin ekonomik, përgjegjësinë individuale dhe dinjitetin në punë.

Ne duhet të përballemi me krizat dhe dështimet e politikave publike, duke hartuar politika më të mira dhe duke u përballur me realitetet. Ne mund t’i njohim gabimet që ka bërë Amerika, por pa e përçmuar kombin tonë. Ne i mbështesim të drejtat globale të njeriut dhe qëndrojmë në anën e lirisë, por gjithashtu duhet të jemi realistë për kompromiset që janë nevojshme për të arritur synimet tona afatgjata. Mos harroni Franklin D. Roosevelt dhe Winston Churchill, të cilët u bashkuan me Stalinin kundër Hitlerit.

Së dyti ne duhet të hartojmë një Plan të ri Marshall për energjinë globale dhe sigurinë ushqimore. Ky plan është tejet i rëndësishëm si për të mbajtur të bashkuar aleancën perëndimore por edhe për të minimizuar vuajtjet globale të shkaktuara nga uria.

Zinxhirët globalë të furnizimit me energji dhe ushqim janë të pasigurt nga natyra e tyre.

Dhe duhet të jetë e vetëkuptueshme që siguria energjitike dhe parandalimi i ndryshimeve klimatike nuk janë kontradiktore: Prodhimi i sigurt dhe i besueshëm i naftës dhe gazit është i pajtueshëm me reduktimin e emetimit të CO2 në një periudhë afatgjatë, dhe është shumë më i mirë sesa djegia e më shumë qymyri. Po ashtu duhet të jetë e vetëkuptueshme se siguria globale e ushqimit dhe energjisë, mbështetet tek politika realiste tregtare dhe fuqia ushtarake amerikane.

Së treti duhet të rrisim shpenzimet ushtarake, së bashku me aleatët tanë, aq sa është e nevojshme për të mbrojtur botën. Amerika është jo vetëm një bastion i lirisë; por ajo është ende arsenali i demokracisë, dhe sanksionet ekonomike nuk janë zëvendësuese të një ushtrie efektive. “Ne e dimë shumë mirë se lufta nuk vjen kur forcat e lirisë janë të forta, por kur ato janë të dobëta”- deklaroi Ronald Reagan në vitin 1980.

Forca jonë ushtarake duhet të kombinohet dhe koordinohet me ndihmën e fortë diplomatike dhe ekonomike për botën në zhvillim. Politikat e mirë-menduara do të ndihmonin shumë kombe të ndihmojnë qytetarët e tyre, të zhvillojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe t’i bashkohen unioneve ekonomike që janë të mira për të gjithë anëtarët.

Së katërti ne duhet të rikuperojmë dinamizmin tonë ekonomik. Një ekonomi e fortë është themeli i fuqisë amerikane, dhe aktualisht ne nuk jemi fokusuar mjaftueshëm tek rritja ekonomike. Gjatë viteve 2000-2020, PBB-ja e SHBA-së u rrit me një normë mesatare prej vetëm 1.7 për qind në vit. Sikur të rriteshim me 3 për qind, PBB-ja e vitit të kaluar për person do të ishte 15.000 dollarë më e lartë.

Dhe kjo do të ndihmonte për të paguar shumë nga gjërat që duhet të bëjmë si komb. Rritja ekonomike do të riparojë shkatërrimin e Ëndrrës Amerikane, sidomos nëse e rishpërndajmë më mirë pasurinë duke e përmirësuar arsimin dhe pagat për qytetarët me paga më të ulëta. Për këtë ka shumë mënyra efektive, si rritja e pagës minimale dhe rritja e taksave për ata që fitojnë më shumë. Gjithashtu ne duhet të rregullojmë politikat e imigracionit që po na ndajnë si komb, duke reduktuar ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe duke rritur atë të ligjshëm.

Rritja ekonomike do të ulë inflacionin, deficitin, dhe do ta bëjë më të lehtë përballimin e mbajtjes së një ushtrie të fortë që na nevojitet. Me sistemin ligjor, rregullator dhe burokratik që kemi sot, nuk do të kemi rritjen ekonomike që na duhet. Tregtia globale duhet të ristrukturohet që të mos mbështetemi tek kundërshtarët e mundshëm për mallra dhe shërbime kritike.

Dhe kjo do të kërkojë më shumë “planifikim industrial” sesa është mësuar Amerika, dhe ne duhet të sigurohemi që ajo të bëhet siç duhet dhe të mos përdoret për qëllime politike. Megjithatë Amerika duhet të jetë krahëhapur, nëpërmjet tregtisë dhe ndihmës, për të gjitha kombet e tjera. Nëse ne i ndihmojmë që të zgjidhin problemet e tyre, shumica e vendeve në zhvillim, do të preferonin të rreshtoheshin ekonomikisht me Perëndimin.

Së fundmi duhet të përballemi me Kinën pa hyrë shumë në të thella dhe pa frikë. Amerika ka ende në dispozicion leva jashtëzakonisht të forta. Ajo ka shumë ushqim, ujë dhe energji; fqinjë paqësorë; dhe është ende ekonomia më e begatë dhe dinamike që ka parë ndonjëherë bota, me një PBB për frymë prej më shumë se 75.000 dollarë në vit.

Ne mund të kemi besim se sistemi ynë do ta ruajë dinamizmin ekonomik që na nevojitet. Kina ka bërë një punë të shkëlqyer duke e ngritur lart kombin e saj dhe duke e çuar PBB-në e saj për person në 13.000 dollarë në vit. Megjithatë, çdo vlerësim i drejtë duhet të njohë sfidat këtij vendi. Ai nuk ka ushqim, ujë dhe energji të mjaftueshme.

Po ashtu ka një situatë shumë komplekse gjeopolitike me fqinjët e mëdhenj; një mungesë lirie që krijon ngurtësi ekonomike dhe investime të këqija. Pavarësisht nëse mendoni se është një konkurrent apo një kundërshtar i mundshëm, ne së bashku me aleatët tanë, duhet të negociojmë me vendosmëri me Kinën (ku kompania ime dhe të tjerat kanë bërë biznes për më shumë se një shekull).

Ne duhet ta pranojmë se kemi interesa të përbashkëta në luftën kundër përhapjes së armëve bërthamore, ndryshimit të klimës dhe terrorizmit. Negociatat e ashpra por të mirë-menduara mbi shqetësimet strategjike, ushtarake dhe ekonomike – duke përfshirë konkurrencën e pandershme – duhet të sjellin një situatë më të mirë për të gjithë.

Nëse Amerika udhëheq mirë, do të jetë më mirë nëse krijon partneritete me një botë të fortë perëndimore sesa me Rusinë, Iranin dhe vende të tjera të tilla. Së bashku, ne mund të sigurojmë udhëheqjen e Amerikës për 100 vitet e ardhshme.

Shënim:Jamie Dimon, është drejtues i “JPMorgan Chase & Co”.

You may also like