Edhe 8 deputetë duhet të binden që të arrihen 80 vota pro për ndryshimet kushtetuese. Kështu tha ministri i jashtëm Bujar Osmani duke shtuar se po bëhet propagandë për përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa thekson se korniza negociuese është garantues se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Bullgaria.
“Mendoj se mungojnë diku rreth 8 deputetë. Garancitë janë në kornizën negociuese. Korniza negociuese të cilën e kanë votuar 27 shtetet anëtare. Në atë kornizë negociuese në asnjë kapitull, në asnjë përcaktues të 35 kapitujve nuk është marrëveshja me Bullgarinë apo protokolli me Bullgarinë. Në asnjë kapitull”, tha Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.
Megjithatë, për palën shqiptare problem paraqet moslargimi i 20% për gjuhën shqipe. Edhe pse Lëvizja Besa kushtëzonte për ndryshimet kushtetuese me heqjen e këtij definicioni, ish deputeti i kësaj partie, tani deputet i pavarur Bastri Bajrami për TV21 tha se do të votojë pro ndryshimeve, pa përmendur asnjë kusht.
“Po, do të votoj pro ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Bastri Bajrami, deputet i pavarur.
Ndryshe nga Bajrami, deputeti i vetëm i Besës Fadil Zendeli për TV21 tha se mbetet në qëndrimin e tij se nuk do të votojë pro.
“Jo, nuk do të votoj për ndryshimet kushtetuese pasi që propozimi ynë për heqjen e 20% nuk u bë”, tha Fadil zendeli nga Lëvizja Besa.
E nga ana tjetër Izet Mexhiti, si deputet i pavarur thotë se ai dhe deputetja tjetër e pavarur Merita Koxhaxhiku nuk kanë dilema rreth çështjes së ndryshimeve kushtetuese, por për numrat do të flasin kur shumica të ketë siguruar 77 vota.
“Asnjëherë s’kemi pas dilemë rreth kësaj çështjeje….por nuk e kuptojmë pse partitë në qeveri sollën propozim ku nuk ka zgjidhje për gjuhen shqipe…nëse ka vullnet dhe mundet të gjendet zgjidhje për komunitete minore ne Maqedoninë e Veriut që nuk është kusht për integrimet atëherë pse nuk është koha për gjuhën shqipe?”, deklaroi Izet Mexhiti, deputet.
Por a na presin zgjedhje të rregullta apo të parakohshme në rast të mosvotimit të ndryshimeve kushtetuese, presidenti i vendit Stevo Pendarovski thotë se kjo do të dihet në fillim të vjeshtës.
“Nuk mund të shoh korrelacion midis ndryshimeve kushtetuese të suksesshme dhe të pasuksesshme dhe zgjedhjeve të parakohshme, dhe për të ditur nëse ndryshimet kushtetuese do të jenë të suksesshme, duhet të hyjmë në vjeshtë. Votimi i parë duhet të jetë diku në shtator, pastaj e ashtuquajtura Qeveria e Përzhinës dhe me këtë praktikisht hyjmë në parazgjedhjet e zgjedhjeve të rregullta presidenciale në pranverë”, tha Stevo pendarovski, president i RMV-së.
Përndryshe, nëse deri më 18 gusht nuk sigurohen 80 vota pro, votimi për ndryshimet kushtetuese do të shtyhet.