Për katër muaj shtatë vrasje – ekspertët përmendin faktorët, fajësojnë institucionet për mosreagim

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Shtatë vrasje kanë ndodhur vetëm në katër muajt e parë të këtij vit në Kosovë. Por sipas Policisë numri i vrasjeve ka shënuar rënie për 6.89%.

Nga ky institucion në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online kanë konfirmuar se vrasjet kanë ndodhur në rajone të ndryshme dhe atë tri në Prishtinë, tri poashtu në Pejë dhe një në Mitrovicën e jugut.

Sipas ekspertëve, rritja e numrit të vrasjeve është
si pasojë e mosfunksionimit efektiv i institucioneve të shtetit, si Policisë,
Prokurorisë e gjykatave.

Ata madje thonë se ka raste kur kryesit e veprave
janë të “privilegjuar” nga institucione, shumë shpesh edhe për shkak të
lidhjeve që kanë.

Por ata thonë se edhe mungesa e psikologëve në
shkolla e mosedukimi i duhur e ndihmon edhe më shumë këtë dukuri negative.

Bedri Elezi, njohës i
çështjeve të sigurisë në një intervistë për Ekonomia Online tha se numri i
vrasjeve po rritet çdo vit e më shumë.

Ai thotë se shumica e
personave që kryejnë vrasje kanë edhe vepra të tjera penale, duke shtuar se  personat në fjalë janë të “lazdruar” e
“privilegjuar” nga institucionet për shkak të lidhjeve, apo edhe fuqisë
materiale që ata kanë.

“Vërtetë është një shqetësim
serioz çështja e vrasjeve nga të rinjtë, qërimi i hesapeve mes tyre në këto
kohëra. Kemi një numër mjaft të theksuar i cili çdo vit po ngritët dhe është
një shqetësim serioz që të rinjtë po arrijnë të mbajnë, të posedojnë armët me
të cilat edhe po i kryejnë këto vepra”. 

“Ne e kemi parë rastin që shumica
e personave që kanë kryer vrasje kanë pasur edhe vepra të tjera penale. Policia
e Kosovës, Prokuroria e Shtetit po edhe gjykatat si duket personat të cilët
kanë ndonjë lidhje në këto institucione apo kanë të mira materiale që janë
fuqishëm ekonomikisht janë të lazdruar, të privilegjuar dhe ato arrijnë të
marrin guximin e të shkojnë deri në ato veprime”.

Përderisa psikologu, Ilir Havolli për Ekonomia Online tha se vrasja mund ta
ketë zanafillën në të kaluarën, e akumulimi i problemeve shpije deri të një akt
i tillë.

Ai përmend faktorët që mund të ndikojnë që personi të kryej një vepër të
tillë siç janë çrregullimet psikologjike, problematikat e ndryshme mjekësore
dhe situatat e ndryshme jetësore.

“Zakonisht ky numër i madh i vrasjeve që po ndodh tani zanafillën mund
ta ketë diku në të kaluarën duke pasur parasysh që individët gjatë tërë jetës
së tyre kalojnë nëpër situata dhe ngjarje traumatike dhe grumbullimi i këtyre
situatave dhe ngjarjeve traumatike bënë që me një moment akumulimi i tyre të
shpërthej dhe të paraqitet në formën e sjelljeve agresive, të dhunës dhe
sjelljeve fatale që është vrasja”.

“…mund të jetë shkaktar tre lloje faktorësh që ndikojnë që individët të
krijojnë vrasje. Mund të jetë çrregullimet psikologjike, problematikat e
ndryshme mjekësore dhe mund të jetë situata të ndryshme jetësore”.

Ai konsideron se nëse do të kishte psikologë në shkolla do të
identifikoheshin më herët këta persona dhe në këtë mënyrë do të minimizoheshin
edhe rastet që të shpien deri në vrasje.

 “Ekziston një lidhje direkte mes
edukimit të familjes dhe shtetit. Duhet pasur parasysh që sikur të kishim
psikolog nëpër shkolla atëherë këto rast do të ishin minimizuar për faktin se
këta fëmijë do të identifikoheshin qysh në moshën e hershme dhe do të kishin
filluar edhe përpunimi i traumave të ndryshme të cilat kanë zanafillën që nga
fëmijëria”.

Edhe sociologu Bekim
Selishta, për Ekonomia Online tha se duhet të merret seriozisht edukimi i të
rinjve sa i përket këtij fenomeni.

“Ky fenomen tek ne që është në
rritje, nuk është që veç sot duhet ta diskutojmë ose me u marr me këtë fenomen
po këtu vyen një studim më i thellë e më i gjatë. Disa herë e kam potencuar,
edhe para 10 viteve e kam diskutuar punën e vrasjeve që duhet të merren më
seriozisht me edukimin tek të rinjtë”.

Sipas Selishtës, përpos edukimit,
Prokuroria dhe gjykatat duhet të jenë më efektive e të reagojnë sa më herët që
është e mundur e të dënohen personat që kanë kryer vepra penale të tjera.

Ai thotë se nëse do të funksiononte
sistemi i drejtësisë si duhet numri i vrasjeve nuk do të ishte kaq i lartë,
raporton EO.

“Këtu janë disa mori problemesh,
nuk mundet me qenë veç edukimi po një nga faktorët që ndikon tek vetëdijesimi
është edukimi, por e ke edhe anën tjetër mospenalizmi i duhur dhe në kohë i
kriminelëve. Ai që bënë vrasje për mua është kriminel, ai që disa herë ka qenë
delikuent ai duhet të penalizohet. Nuk mundet me qenë disa herë i pafajshëm
edhe nëse ka qenë pjesë e disa problemeve delikuente”.

“Kur nuk shkojnë gjërat mirë, në shtetet stabile ose shtetet ku ligji funksionon si duhet e shumë sisteme të tjera të drejtësisë e policisë, nuk është kaq i lartë numri i vrasjeve”.

You may also like