Për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë sot në një konferencë për media nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ku njoftoi për organizimin e udhëtimit të parë pa viza të një grupi qytetarësh.

Kurti tha se me liberalizimin e vizave, është hequr një padrejtësi e madhe, por është fituar një e drejtë e rëndësishme.

Ndër të tjera, Kurti iu drejtua qytetarëve se pavarësisht liberalizimit të vizave “mos të harrojmë që shtëpia jonë është Kosova”.

Në fund, ai ironizoi pak, duke uruar liberalizimin “për herë të fundit”.

“Qysh mbrëmë, pas orës 24:00, zyrtarisht ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave. Ky mëngjes, nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë se sa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive për qytetarët e Republikës sonë. Kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi, prandaj kjo ditë është një ditë e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe e po fitohet një e drejtë e rëndësishme. Bashkë me të, po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë.

Për të shënuar këtë arritje, sot do të udhëtojmë për në qytetin e bukur të Vjenës, 50 qytetarë që fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë informuese. Këtë të drejtë, duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret, sepse kështu respektojmë shtetin tonë.

Kudo që të udhëtojmë, le ta kujtojmë e kurrë mos ta harrojmë që shtëpia jonë është Kosova jonë e dashur. Për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave.”, tha Kurti, raporton Sinjali.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva. /Sinjali.

You may also like