Pep shkruan historinë, bëhet trajneri me më shumë fitore te Man. City

by admin
Spread the love

Pas tre humbjesh radhazi në përballjet me Chelsea-n e Thomas Tuchel, përfshi këtu edhe disfatën në Ligën e Kampionëve, Pep Guardila ka vënë në vend nderin, duke ia dalë të triumfojë me Manchester City-n e tij në Londër me rezultatin minimal 0-1.

Vendosi një gol i brazilianit Gabriel Jesus në pjesën e dytë të një ndeshjeje që ngjante si një lojë shahu për nga lëvizjet taktike që bënin të dy trajnerët, ndërsa me këtë sukses Pep Guardiola hyn në historinë e Manchester City-t me një tjetër rekord.

Tekniku katalan ka regjistruar fitoren e tij të 221-të me “citizens”, që prej vitit 2016 kur u ul në pankinë dhe ka parakaluar kështu Les McDowall, i cili numëronte 220 fitore, të cilat i kishte arritur në harkun kohor të 13 sezoneve.

“Jam shumë krenar për këtë rekord. Së bashku po kalojmë një kohë të mrekullueshme. Ne mund të humbim ndeshje, mund të humbim edhe finale, por luajmë çdo sfidë me një kurajë të jashtëzakonshme. Ne provojmë të bëjmë lojën tonë sa herë që zbresim në fushë dhe kjo më bën krenar”, deklaroi Guardiola pas ndeshjes.

Tekniku spanjoll mori drejtimin e Manchester City-t në verën e 2016-ës dhe në 5 sezone të plota ka arritur të fitojë 10 trofe, ndërsa në 303 ndeshje në total, numëron 221 fitore, 37 barazime dhe 45 humbje, me 738 gola të shënuar dhe 246 të pësuar.


Top Channel

You may also like