Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, me ç’rast me kryetarin Nijazi Gashi dhe bashkëpunëtorët kanë diskutuar për Programin Zgjedhor 2025-2029 të Koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, veçanërisht për temat që lidhen me pensionistët, raporton Shqip.
Haradinaj tha se Gashit ia ka dorëzuar planin për rritjen e vlerës së pensionit bazë, për çka tha se mund të përballohet me buxhetin e shtetit.
Paga minimale sipas tij, do të ngritet në 500 euro dhe se pensioni i kontribut-paguesve nuk guxon të mbetet nën pagën minimale. Haradinaj ka sqaruar se do të bëhen ndryshime në Ligjin për skemat sociale, duke përfshirë edhe njohjen e përvojës së punës për të larguarit me dhunë nga vendet e punës në vitet e 90-ta.
“Në projeksionet tona buxhetore për periudhën 2025-2028, me disiplinën e numrave kemi paraparë rritjen 50 për qind. Kalkulimet ia dorëzova edhe kryetarit, në bazë të buxhetit që është paraparë të gjitha skemat pensionale, jo vetëm kontribut-pagues. Ligji për kontribut paguesit ka paraparë 15 vite i cili në periudhë të afërt kohore pamundëson vazhdimin e kësaj skema, e prish këtë status. Pra na duhet një ndërhyrje një ndryshim në Ligj që të mos kushtëzohen me 15 viteshin”.
“Në kalkulimet tona rritja bëhet për të gjitha skemat pensionale, shtohet obligimi buxhetor, mbërrin për gjithë skemat pensionale në 900 milionë, nga 608 milionë që është tash që është e përballueshëm për buxhetin e Kosovës. Njëkohësisht një rritje e vazhdueshëm ndër vite shkon në 10 për qind. Deri tani projeksion për pagën minimale është në 350 euro, në planin tonë paga minimale do të ngritet edhe për 150 euro, do të arrijë në 500. Dhe pension i kontribut paguesve nuk guxon me mbet nën pagën minimale”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, ka falënderuar Haradinajn që ka prezantuar para tyre perspektivën se si do të gjejnë zgjidhje për kërkesat e tyre, raporton EO.
“Ne i falënderojmë që kanë treguar senesë për të ma dëgjuar për problemet tona dhe me na prezantuar ato traste të perspektivës qysh kat do të kishin me zgjedh çështjen e pensionistëve”, ka thënë ai.