Pendarovski: Imazhi i BE-së është mjaft i lëkundur

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Këshilli i Ambasadorëve në Shkup ka organizuar një tryezë të rrumbullakët në temë “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE, storje e (pa)përfunduar – Qëndrueshmëria e kursit të politikës së jashtme maqedonase”, raporton Anadolu Agency (AA).

Debatin e hapi presidenti i Këshilli i Ambasadorëve, Muhamed Halili, i cili duke theksuar problemet e shumta siç me të cilat përballet Bashkimi Evropian (BE), përshëndeti gatishmërinë për të debatuar në këtë temë.

Fjalim hyrës kishte presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili foli rreth situatës aktuale të vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me BE-në, duke rikujtuar se Serbia dhe Mali i Zi po negociojnë për disa vite, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria aktualisht janë të bllokuara nga Bullgaria.

Ai u shpreh se nuk ka përparim as sa i përket projekteve të paralajmëruara për përkrahje nga ana e BE-së pas pandemisë COVID-19, duke theksuar se kjo ka ndikuar në zbehjen e përkrahjes ndaj BE-së në opinion.

“Imazhi i Bashkimit Evropian është mjaft i lëkundur, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në rajon. Zbatimi i shpejtë i projekteve të tilla mund të ndihmojë për ta korrigjuar këtë. Më në fund vijmë te tema juaj, tema jonë, sa e qëndrueshme është kjo politikë e jashtme nëse nuk kemi kontribut nga ana tjetër, ndërkohë që themi se jemi partnerë që bashkëpunojmë para se ndonjëri prej nesh të bëhet anëtar formal”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut foli edhe rreth zhvillimeve të fundit në raport me Bullgarinë. Qeveritë e dy vendeve kohëve të fundit intensifikuan raportet duke realizuar vizita të ndërsjella në Shkup dhe Sofje, në të cilat mes tjerash u nënshkruan edhe tre memorandume në sfera të ndryshme.

“Më duhet të jem shumë i qartë, ky është vetëm fillimi. Është vetëm një fazë fillestare në të cilën të dyja palët shprehin vullnetin e mirë se si do të dëshironin të vazhdojë ky proces. Pra, ne jemi larg një depërtimi më të thellë në proces dhe jemi ende larg një përfundimi të mundshëm pozitiv të këtij procesi”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu u shpreh i gatshëm që të japë kontributin e tij në këtë proces, duke paralajmëruar vizitë zyrtare në Sofje.

Fjalim hyrës kishte edhe shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer, i cili foli rreth vështirësive me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë rrugës drejt anëtarësimit në BE.

Debati vazhdon me pjesëmarrje të përfaqësuesve qeveritar, duke përfshirë zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq; ambasadorë të vendeve të shumta në Shkup, diplomatë, si dhe deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

You may also like