PD kërkon seancë urgjente dëgjimore mes banorëve dhe Bashkisë së Tiranës: Të mbrohet e drejta e pronës në zonën e “5 Majit”

by admin
Spread the love

Partia Demokratike ditën e djeshme ka dorëzuar një kërkesë për seancë urgjente dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për shtëpitë tek 5 maji. PD në njoftimin e saj shprehet se në përpjekje për t’u ardhur në ndihmë banorëve që nuk kanë asnjë përgjigje nga asnjë institucion dhe që ndodhen nën presionin e policisë për prishjen e shtëpive, deputetët e PD-së i dërguan Kryetares së Komisionit të Ligjeve një kërkesë për seancë dëgjimore ditën e premte.

Sipas PD, deputetët Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi, Greta Bardeli, Dashnor Sula, Elda Hoti, Bledion Nallbati kanë vënë në dukje detyrimin e këtij komisioni për të mbrojtur të drejtën e pronës për rastin e familjeve në zonën e 5 Majit. Po ashtu në këtë seancë urgjente dëgjimore PD ka kërkuar paraqitjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca. Po ashtu deputetët e PD kanë kërkuar nga institucionet, dokumentacionin e plotë mbi projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve. Nga ana tjetër ka reaguar edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e cila duke dënuar marrjen me forcë të banorëve nga Policia, e ka vendosur theksin tek kontrata.

Problemi, sipas Avokates së Popullit qëndron te kontrata që duhet të firmosin banorët pasi sipas saj nuk krijon garanci të mjaftueshme për ta. Ballanca tha se kontrata nuk e specifikon se kur përfundon projekti.

“Kontrata nuk krijon garanci të mjaftueshme për të gjithë qytetarët se kur do ta marrin këtë objekt, pra afati kohor. Bashkia pretendon se nuk e ka të mundur ta dijë tani procesin e realizimit. Por një parashikim paraprak duhet të jepet. Banorët do të trajtohen me bonus qiraje. Ajo kontrata parashikon dhe thotë se në momentin që lidh një kontratë me bashkinë heq dorë nga e drejta jote për ankimim”, u shpreh ajo.

You may also like