PD kallëzon Ramën në SPAK, akuza për shkelje ligji dhe ‘investimet’: Të vihet para ligjit

by admin
Spread the love

PD ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama, ndërsa e akuzon shefin e qeverisë për abuzim me ligjin për investimet strategjike. Ka qenë deputeti i PD, Gazment Bardhi, i cili në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka depozituar ditën e djeshme në SPAK një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre, vepër penale e cila dënohet deri në 7 vjet burgim. Sipas tyre, kreu i qeverisë ka abuzuar me ligjin për investimet strategjike, duke mbështetur një projekt të bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. “Duke mos aplikuar këtë ndalim, kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e Komitetit të Investimeve Strategjike, të cilët kanë qenë në dijeni se kompania përfituese është në pronësi të bashkëshortit të ministres/deputetes Olta Xhaçka, me dashje kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke i sjellë përfitime materiale të padrejta familjes së ministres Xhaçka”, thuhet ndër të tjera në kallëzim.

Kallëzimi penal ndaj Edi Ramës vjen dy ditë pasi një grup deputetësh të Partisë Demokratike i kërkuan Kuvendit që të nisin procedurat për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit për Olta Xhaçkën. Ndërkohë, deputeti i PD Gazment Bardhi edhe më herët ka akuzuar kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, kreu i qeverisë po e ndan pasurinë e Shqipërisë me miqtë dhe ministrat.“Edi Rama rrëzoi kërkesën e PD për komision të posaçëm për verifikimin e procedurave për investimet strategjike, duke pranuar defacto se pasurinë publike e ka kthyer në plaçkë për miqtë dhe familjarët e tij. Përpjekja për ti fshehur publikut aferat korruptive me ligjin e investimeve strategjike, ku ndër përfituesit është edhe familja e ministres Olta Xhaçka, do të dështojnë.

Shehaj: Do kërkojmë heqjen e mandatit të deputetes

Ndërkohë, deputeti i Grupit të Rithemelimit të PD, Agron Shehaj bëri me dije se “Foltorja” po përpiqet të mbledhë firmat për të kërkuar në Gjykatë Kushtetuese mbylljen e mandatit për ministren Olta Xhaçka me pretendimin se qeveria socialiste ka shkelur ligjin i Investimeve Strategjike duke favorizuar ish-deputetin e PS dhe bashkëshortin e Xhaçkës, Artan Gaçi për të përfituar një sipërfaqe të konsiderueshme toke në bregun e Himarës për të ndërtuar hotel. Pasi publikoi skemën e përfitimit të 10.592 m2 për 30 vite në fshatin Gjilekë të Himarës nga Gaçi, deputeti Shehaj këmbënguli se të dhënat e publikuara prej tij janë fakte dhe jo shpjegime të sajuara. “Jemi duke mbledhur firmat për të bërë kërkesën për heqjen e mandatit të ministres Xhaçka. Pronat janë të gjitha këto që kemi shfaqur. Nuk kemi të bëjmë me një ‘shpjegim’ të sajuar, apo deklarata politike, por kemi të bëjmë me fakte dhe dokumente. Në fund fare është ministrja ajo që ka përfituar pronën në përdorim”, përfundoi deputeti demokrat i “Foltores” Agron Shehaj.

You may also like