Paul Pelosi lirohet nga spitali pas sulmit me çekiç

by admin
Spread the love

Sipërmarrësi Paul Pelosi, bashkëshorti i Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, u lirua nga spitali i San Françiskos ku iu nënshtrua një operacioni për lëndimet e pësuara, pasi u godit me çekiç gjashtë ditë më parë nga një person që kishte hyrë me forcë në shtëpi.

Sipërmarrësi 82-vjeçar në fushën e pasurive të patundshme dhe kapitalit të investimeve “mbetet nën kujdesin e mjekëve ndërsa vazhdon të përparojë në një proces të gjatë shërimi dhe rikuperimi” në shtëpi, tha zonja Pelosi në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj.

Përditësimi më i fundit për gjendjen e tij erdhi pasi zyrtarët amerikanë të emigracionit thanë se personi i akuzuar për sulmin me çekiç, Paul Wayne DePape, 42 vjeç, është shtetas kanadez, i cili ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara ilegalisht prej 14 vitesh, pasi kishte hyrë si vizitor.

Agjencia ligjzbatuese për Emigracionin dhe Doganat (ICE) tha se kishte paraqitur një njoftim tek autoritetet e San Françiskos duke kërkuar kujdestarinë e DePape kur të ketë përfunduar procedimi penal ndaj tij.

David Depape në një fotografi të vitit 2013

Sipas dokumentit të depozituar në burgun e San Franciskos më 1 nëntor, katër ditë pas arrestimit të tij, zoti DePape do t’i dorëzohet agjencisë së emigracionit ICE për një dëbim të mundshëm në Kanada, pasi të ketë kryer dënimin që mund t’i jepet.

Ai u arrestua më 28 tetor në shtëpinë e çiftit Pelosi në San Françisko pasi dyshohet se hyri me forcë në banesë, kërkoi të shihte Nancy Pelosin dhe më pas goditi burrin e saj në kokë me çekiç.

Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, radhitet e dyta në hierarkinë e marrjes së detyrës së presidentit amerikan.

Sipas dokumenteve të gjykatës të paraqitura nga prokurorët, të cilët e etiketuan incidentin një sulm të motivuar politikisht, zoti DePape i tha policisë pas arrestimit të tij, se kishte planifikuar ta rrëmbente kryetaren, ta merrte në pyetje dhe t’i thyente kupat e gjunjëve nëse ajo “gënjente”.

Sulmi e la zotin Pelosi me frakturë në kokë, si dhe lëndime në krahë dhe duar, për të cilat ai iu nënshtrua operacionit, njoftoi zyra e zonjës Pelosi.

DePape, i cili është burgosur pa mundësi lirimi me kusht, u deklarua i pafajshëm të martën për akuzat për tentativë për vrasje, sulm me armë vdekjeprurëse, vjedhje, abuzim me të moshuarit, burgosje të rreme dhe kërcënim të një zyrtari publik. Ai mund të përballet me një dënim prej 13 vitesh dhe deri në burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor.

Prokurorët federalë e kanë akuzuar zotin DePape gjithashtu për sulm dhe tentativë rrëmbimi, akuza për të cilat dënimi arrin deri në 50 vite burgim.

Të dhënat tregojnë se zoti DePape hyri në Shtetet e Bashkuara si vizitor i përkohshëm në mars 2008 në pikën kufitare San Ysidro, mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.


Top Channel

You may also like