Pas tre aleatëve të Putinit, a po sanksionohet edhe Roman Abramovich nga Britania e Madhe?

by admin
Spread the love

Mbretëria e Bashkuar po sanksionon tre aleatë të pasur të Presidentit rus, Vladimir Putin dhe pesë banka ruse, konfirmoi kryeministri Boris Johnson – por pronari i Chelseat, Roman Abramovich nuk është në listë, transmeton Insporti.

Boris Johnson ka njoftuar se ka vendosur sanksione kundër Rusisë pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi hyrjen e trupave rus në Ukrainë të hënën mbrëma.

Mirëpo, çfarë sanksionesh janë vendosur?

Kryeministri, Johnson tha se sanksionet e menjëhershme po vendosen kundër tre “individëve me pasuri neto shumë të lartë” – Gennady Timchenko, Boris Rotenberg dhe Igor Rotenberg. Ai i përshkroi këta oligarkë si “miq” të presidentit rus.

Sanksione u vendosën edhe kundër bankave ruse Rossiya Bank, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Bankës së Detit të Zi.

Masat kundër bankave dhe individëve përfshijnë ngrirjen e aseteve në Mbretërinë e Bashkuar, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e individëve dhe bizneseve britanike që merren me to.

Ndryshe, Roman Abramovich ka në portofolin e tij të investimeve, ndër të tjera, edhe Evrazin, një kompani ruse minerare. Nisur nga tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, kompania minerare ka rënë në bursën e Londrës, duke i shkaktuar pronarit të Chelseat 650 milionë paund (rreth 776 milionë euro) humbje brenda ditës.

Kompania me rreth 110 000 punëtorë operon kryesisht në Rusi, por edhe në Ukrainë, Republikën Çeke, Itali, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Afrikën e Jugut.

Sipas “This Is Money”, aksionet e Abramovich janë një nga vlerat që ka rënë më shumë në Britani, deri në 35%. Ndryshe, Evraz është një nga prodhuesit më të mëdhenj të çelikut në botë.

You may also like