Pas dorëheqjes së Zaevit, si e parasheh Kushtetuta zgjedhjen e kryeministrit të ri

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryeministri Zoran Zaev dorëzoi në Kuvend dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, duke i hapur rrugë zgjedhjes së një Qeverie të re me një mandatar të ri.

Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut rregullojnë procedurën në rast të dorëheqjes së kryeministrit.

Në nenin 93 të Kushtetutës thuhet se “Dorëheqja e Kryeministrit, vdekja e tij ose pamundësia e përhershme për të kryer detyrën sjell dorëheqjen e Qeverisë. Qeveria që ka dhënë dorëheqjen ose që i ka përfunduar mandati, qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e një qeverie të re”, përcjell INA.

Në nenin 219 të Rregullores së Kuvendit, nga ana tjetër, thuhet se “Qeveria, Kryeministri apo anëtari i Qeverisë mund të japin dorëheqje. Dorëheqja e Qeverisë ose e Kryeministrit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe mund të shpjegohet, i cili më pas atë menjëherë ia dorëzon deputetëve dhe deri tek Presidenti i Republikës.

Në nenin 220 thuhet më tej se “Kuvendi në seancën e parë të radhës, pa debat, konstaton se mandati i Kryeministrit, Qeverisë apo anëtarit të Qeverisë përfundon po në ditën e asaj seance”.

Më pas, sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti i shtetit është i obliguar që në afat prej dhjetë ditësh t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë një kandidati të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend. Kryeministri i mandatuar i paraqet Kuvendit program dhe propozon përbërjen e Qeverisë në afat prej 20 ditësh nga dita e besimit të mandatit.

Qeveria, me propozim të Kryeministrit dhe në bazë të programit, zgjedhet në Kuvend me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Zoran Zaev në dorëheqjen e tij me shkrim dorëzuar kryeparlamentarit Xhaferi ka nënvizhuar se këtë vendim e ka marrë si një hap logjik që del nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe si shprehje e përgjegjësisë së marrë për rezultatin e zgjedhjeve. Ai po ashtu ka theksuar se dorëheqjen e tij nuk do ta sqarojë gojarisht para deputetëve.

Pas dorëheqjes, shumica parlamentare pritet që për mandatar për formimin e Qeverisë ta propozojë liderin e ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Pas marrjes së mandatit, Kovaçevski në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm duhet të paraqesë në Kuvend programin dhe propozimin për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, që më pas të marrë dritën jeshile nga shumica e deputetëve.

You may also like