Pas 10 ditë debat, Kuvendi sot shkarkoi tre ministrat e Alternativës – Shqip

by admin
Spread the love

VMRO – DPMNE: KRIJIMI I SHUMICËS SË RE NUK ËSHTË I BAZUAR NË PARIME

Dhjetë ditë pas fillimit të seancës për shkarkimin e ministrave të Alternativës dhe emërimin e anëtarëve të ri të Qeverisë, Kuvendi sot shkarkoi ministrin e Shëndetësisë, Bekim Sali, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti si dhe ministrin pa resorë, Xhemail Çupi. Nga 105 deputetët e pranishëm në sallë, për shkarkimin e Salit votuan 65 deputetët dhe asnjë kundër dhe të përmbajtur, ndërsa për shkarkimin e dy të tjerëve, për votuan 64 dhe një kundër. Deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski tha se me këtë, sot është konfirmuar përforcimi dhe rritja e shumicës parlamentare.

“Me përfundimin e rikonstruimit, sigurojmë stabilitet politik, rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe miratim më të shpejtë të ligjeve. Ajo do të kontribuojë të vazhdojnë me përshpejtim me realizimin e reformave në ekonomi, në gjyqësor dhe në raport me integrimin e vendit në BE” – Martin Kostovski, LSDM

Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentare të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se, kjo parti nuk e votoi shkarkimin e ministrave, pasi vlerëson se krijimi i shumicës së re parlamentare nuk është e bazuar në parime.

“Grupi i deputetëve i VMRO – DPMNE-së nuk votoi për shkarkimin e ministrave në këtë rikonstruim të Qeverisë së Kovaçevskit sepse, sikurse edhe para një viti, ashtu edhe tani kemi situatë të harnimit të shumicës pa qëllim të qartë, pa program, pa vizion. Kjo është situatë, do të thoshin njerëzit, ku nga njëra anë harnojnë, ndërsa nga ana tjetër u shkëputet shumica qeveritare, sepse thjesht tash më ka humbur tërësisht legjitimiteti i qytetarëve” – Nikola Micevski, VMRO – DPMNE.

Pas votimit të shkarkimeve, filloi debatin për zgjedhjen e anëtarëve të ri të qeverisë. Për këtë pikë, janë paraqitur për të marrë fjalën 38 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se, për zgjedhjen e anëtarëve të Qeverisë, do të ketë debat të përgjithshëm, pas shterjes së debatit do të votohen ministrat e ri. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

You may also like