Partizani/ Skuka jep garanci, ndeshjet në shtëpinë e re si fotokopje

by admin
Spread the love

Fitorja kundër Kukësit qetëson situatën te Partizani në prag të derbit me Tiranën. Barazimi kundër Erzenit në ekstrem duket i arkivuar dhe të kuqte e Kolelës tani kanë shumë arsye për të punuar më të qetë dhe për të vazhduar rrugëtimin drejt objektivit të madh që është titulli kampion.

Pas kësaj jave futbollistike, Partizani mori kreun e klasifikimit duke përfituar nga humbja e Tiranës kundër Teutës. Diçka që nuk ndodhte që nga java e 10-të. Kjo do të thotë se shkon në derbi për ta ruajtur kreun.

Fitorja me Kukësin ishte shumë pozitive dhe loja në pjesën e parë gjithashtu, por sigurisht që te Partizani e dinë që duhet të korrigjojnë disa aspekte. Megjithatë bazat për të punuar janë optimale.

Xhuliano Skuka është garanci për ekipin e kuq. Katër gola të shënuar në 3 javët e fundit, 3 prej tyre në shtëpine e re të Partizanit. Dibrani ka arritur të realizojë kundër Kukësit, Erzenit dhe dopietë ndaj Bylisit. Në total ka 9 gola, vetëm 2 më pak sesa Redon Xhixha. Është duke ecur me shpejtësi dhe duke i dërguar sinjale kryesuesit të listës së golashënuesve. Sa herë Skuka shënon, Partizani merr pikë. 9 Golat e tij kanë ardhur në 7 fitore dhe 1 barazim. Kur shënon ai, të kuqtë nuk humbasin.

Shtëpia e re ka sjellë optimizëm, ku kanë ardhur 2 fitore radhazi, ndaj Bylisit dhe Kukësit. Thuajse kanë qenë ndeshje të ngjashme për nga rezultati dhe mënyra si rrodhën ngjarjet.

Eneo Bitri gjithashtu shënoi një supergol në duelin kundër verilindorëve. Beratasi shndërrohet në goleador kur ka përballë Kukësin. Tashmë janë 3 gola në portën e tyre, 2 prej të cilëve në këtë sezon. Partizani duhet të dijë t’i shfrytëzojë këto armë për derbin me Tiranën. / Oversport.tv

You may also like