Partizani, një fitore që mund të ndryshojë sezonin

by admin
Spread the love

Një fitore karakteri, në minutën e 90-të të takimit, fati i Partizani-Teuta dukej i vulosur, kryesim 1-0 i bregdetarëve përballë skuadrës së Dajës sërish me të njëjtën sindromë, përpjekje pa fund por pa gol. Deri në momentin e penalltisë, me Stenio Junior që barazon shifrat nga pika e bardhë.

Vetëm se të kuqtë, nuk ishin dakord as me një 1-1, rezultati që kanë hasur më shpesh këtë sezon, dhe shpërblimi erdhi me atë gol për infarkt të Tedi Carës. Në kampin e kuq kanë të drejtë ta konsiderojnë jo thjesht fitoren më të bujshme të sezonit, por mbi të gjitha një bazë të mirë për të ndërtuar rrugën që i çon aty ku kanë edhe pretendimet.

Suksesi ndaj bregdetarëve nuk largon si me magji, problemet e konstatuara, Partizani sërish vuan shumë për të shënuar, por pikërisht te ata gola, që vijnë nga dy sulmues, Junior dhe Cara, të dy në aspektin individual gjejnë edhe shpërblimin  për vështirësitë e kaluara, dhe më shumë besim te vetja, siç është e drejtë për të gjithë skuadrën. Përtej aspektit taktik, mbi të gjitha Partizani ka meritën se besoi deri në fund, luftoi deri në fund, dhe më në fund, si pak herë këtë sezon u shpërblye.

Në një sezon me shumë pikë të lëna rrugës, dhe ku mbi të gjitha të kuqtë duket se vuajtën edhe psikologjikisht pasojat e humbjes në derbin me Tiranën, me një sërë rezultatesh jo të mira që e pasuan, për Partizanin britma e atij goli të fitores është njëkohësisht edhe një britmë revanshi.

Daja në konferencat për shtyp ka përsëritur besimin se loja nuk i mungon, rezultatet po. Bindje që kombinuar edhe me një fitore me kaq shumë emocione, mund të shërbejë që Partizani të fillojë tani një tjetër kampionat, atë që prisnin të gjithë!


Top Channel

You may also like