Partizani dominon në Korçë, Tirana konfirmohet cinike. Teuta vuan në goditjet standarde

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Java e 20-të e Abissnet Superiore nuk dhuroi asnjë barazim, teksa pati tre fitore të skuadrave vendase dhe dy të ekipeve udhëtuese.

Në emisionin Analizë Superiore në Supersport, nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me të ftuar videoanalistin e kombëtares U19, Fatjon Bardhi janë marrë në shqyrtim edhe statistikat që kanë prodhuar pesë ndeshjet e kësaj jave.

Kështu, një fitore e rëndësishme ishte ajo për Vllazninë në Shkodër ndaj Teutës me rezultatin 4-2. Djemtë e Detit janë duke kaluar një moment të vështirë ndërsa për ta ishte humbja e dytë radhazi ku pësojnë katër gola pas ndeshjes me Partizanin. Nëse iu hedhim një sy statistikave të këtij takimi, Teuta u shfaq mirë me shënjestrën drejt portës së mbrojtur nga Zogovic ndërsa e ka gjetur atë në dy raste duke shënuar edhe dy golat. Nga ana tjetër, Vllaznia gjithashtu ka një përqindje të mirë të saktësisë në goditjet drejt portës, pasi në gjashtë raste, katër ia dolën t’i kthenin në gol. Sakaq, të besuarit e trajnerit Thomas Brdaric janë më mirë në aspektin e zotërimit të topit, po ashtu edhe në pasimet e sakta e në duelet e fituara. Ndërkohë që bie në sy fakti se të dyja skuadrat kanë gabuar shumë në topat e humbur.

Ndërkaq, Partizani mori një fitore me përmbysje në Korçë ndaj Skënderbeut me rezultatin 1-2. Të kuqtë zhvilluan një pjesë të dytë të shkëlqyer ndërsa Demat e gjetën në gjashtë raste kuadratin e Rexhepit, por e tentuan në total 16 herë portën e juglindorëve. Kryeqytetasit ishin shumë më mirë edhe në pasimet e sakta pasi kompletuan 355 të tilla, kundrejt 153 të korçarëve, teksa në duelet e fituara, të kuqtë kanë një avantazh minimal.

Ndërkohë, Laçi vijon momentin e artë në kampionat ku edhe këtë javë ekipi i drejtuar nga ana e Mirel Josës mori tre pikët e plota, ndeshja e katërt radhazi që e bën diçka të tillë. Këtë herë kurbinasit mposhtën në Elbasan, Dinamon me rezultatin minimal 0-1 falë sulmuesit Guindo. Sa i përket statistikave të sfidës, blutë patën në pjesën më të madhe të kohës zotërimin e topit, megjithatë nuk ia dalin të konkretizojnë në metrat e fundit, teksa edhe në topat e humbur kryeqytetasit kanë bërë më keq se kurbinasit.

Nga ana tjetër, Tirana po ashtu ka marrë fitoren e katërt radhazi teksa në kryeqytet mposhti pa shumë problem Egnatian me rezultatin 2-0. Bardheblutë nuk “djersitën” shumë dhe statistikat provojnë se ekipi i Orges Shehit di të tregohet cinikë për të marrë pikët. Bardheblutë e goditën dy herë portën dhe në të dyja rastet Xhixha dhe Hoti kishin shënjestrën e duhur, ndërsa nga ana tjetër, rrogozhinasit vendosën vetëm një herë në provë Visar Bekajn. Sa i përket dueleve të fituara në fushë të dyja skuadrat kanë një numër të barabartë 101, ndërsa bardheblutë janë superiorë në pjesën e pasimeve të sakta.

Në ndeshjen e radhës, Kukësi mposhti pa shumë problem me rezultatin 4-0, Kastriotin. Verilindorët “bombarduan” kuadratin e Salit duke e gjetur portën në tetë raste, ndërsa verilindorët ishim më lart edhe në aspektin e zotërimit të topit, apo në pasimet e sakta në fushë.


Top Channel

You may also like