Partitë politike nga dita e nesërme do të rikthejnë aktivitetet politike

by admin
Spread the love

Pas përfundimit të tre ditëve të zisë në të gjithë territorin, pritet të rikthehen aktivitetet politike ditën e premte. Nesër Alternativa konfirmon se do të mbajë takim të kryesisë ekzekutive për të diskutuar rreth hyrjes së mundshme në qeveri ose qëndrimit në opozitë. Siç njoftojnë nga kjo parti, vendim përfundimtar nuk pritet të ketë nesër.

“Nesër do të diskutojmë nëse e pranojmë ftesën për të filluar negociata. Pastaj Kuvendi Qendror i Alternativës duhet të marrë vendim final nëse do të bëhemi ose jo pjesë e shumicës parlamentare”, thonë nga Alternativa.

Aktivitetet e saj pritet t’i rikthejë edhe LSDM-ja e cila po ashtu i kishte pezulluar për shkak të tragjedisë. Kjo parti do të ftojë kryesinë qendrore në të cilën pritet të finalizohet dorëheqja e kreut të partisë Zoran Zaev. LSDM-ja nuk konfirmon oraret e takimeve por pritet që ata të mbahen të premten pasdite. Nëse Zaev konkretizon dorëheqjen e tij nesër, organet e partisë në afat prej 15 ditësh duhet të shpallin zgjedhje të reja për kreun e partisë.

Brenda këtyre takimeve të partisë më të madhe në pushtet po ashtu do të diskutohet edhe për kushtet e Alternativës në këmbim të kalimit në pushtet. Këto kushte Zaev tha se duhet të diskutohen edhe me partnerët tjerë të koalicionit BDI dhe PDSH. Edhe pse nuk është precizuar, Zaev kishte deklaruar se bëhet fjalë për kërkesa rreth përmbaruesve, zhvillimit rural dhe aspekte të tjera të politikave sociale. Nuk pranuan të jetë diskutuar për ndarje postesh ministrore.

Mundësia që Alternativa t’i bashkohet pushtetit u paralajmërua pas dështimit të opozitës dhe Besës për të votuar mocion mosbesimi për Qeverinë Zaev.

You may also like