PARIS – Le Maire: BE-ja ka nevojë për unitet në tregtinë me SHBA-në dhe Kinën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

PARIS, 7 nëntor /ATSH-DPA/-Bashkimi Evropian duhet të paraqesë një front të bashkuar në përballjen me sfidat në rritje në tregtinë globale me SHBA-në dhe Kinën, deklaroi sot ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire.

“Është e rëndësishme që Evropa të mbetet një fuqi ekonomike globale dhe të mos humbasë avantazhin e saj teknologjik apo industrial në krahasim me SHBA-në dhe Kinën”, tha Bruno Le Maire për gazetën “Handelsblatt”.

“Kjo do të thotë se Komisioni i Bashkimit Evropian duhet të përpunojë propozime që lejojnë bllokun të përqendrohet më shumë në mbrojtjen e mjedisit për importet e tij ose të hartojë rregulla që i japin një shtysë produkteve evropiane”, theksoi ai.

“Blloku gjithashtu duhet të jetë i përgatitur për të mbrojtur interesat e veta në rast të një lufte tregtare me SHBA-në”, tha ai.

Ai vuri në dukje se disa subvencione të SHBA-së ishin katër deri në gjashtë herë më të larta se maksimumi i lejuar nga Komisioni i BE-së për mbështetjen industriale.

Le Maire theksoi se, vetëm në Francë, investimet që arrinin në dhjetëra milionë euro dhe mijëra vende pune ishin në rrezik.

“Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që BE-ja të nxisë parimet e tregtisë së drejtë botërore të bazuar në rregulla dhe konsideratë për të gjitha palët”, tha Le Maire.

Duke cituar udhëtimin e fundit të kancelarit gjerman Olaf Scholz,në Kinë  Le Maire tha se BE-ja duhej gjithashtu të paraqeste një front të bashkuar edhe për Pekinin.

“Nëse Evropa dëshiron të mbetet një nga tre fuqitë më të mëdha ekonomike të shekullit të 21-të, atëherë anëtarët e saj duhet t’i flasin Kinës njëzëri”, tha ai.

Por, ai shtoi se marrëdhëniet franko-gjermane mbeten ende të forta.

“Ne po hyjmë në një univers të ri gjeo-politik dhe partneriteti gjermano-francez duhet të gjejë një mënyrë për të vënë në funksion këtë realitet të ri”, tha ai. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like