Parashikimi i Gartner: Dërgesat e PC në nivel botëror do të bien me 9,5% në 2022

by admin
Spread the love
Dërgesat e smartphone-ve në Kinën e Madhe pritet të bien me 18%

 

Sipas parashikimeve të fundit të Gartner, dërgesat e PC në nivel botëror pritet të bien me 9.5% në vitin 2022.

Këtë vit, tregu i PC-ve pritet të pësojë rënien më të madhe në të gjithë segmentet e pajisjeve.

“Stuhia e vërtetë e trazirave politike, inflacioni i lartë, luhatjet e monedhave dhe ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit kanë reduktuar kërkesën për pajisje nga kompanitë dhe konsumatorët në botë dhe pritet të kenë efekte të mëdha në tregun e PC në vitin 2022”, – deklaroi Ranjit Atwal, analist në Gartner.

“Kërkesa e konsumatorëve për PC parashikohet të ulet me 13.1% në vitin 2022 dhe do të bjerë më shpejt se kërkesa e kompanive për PC, e cila parashikohet të reduktohet me 7.2% nga viti në vit”.

Nga këndvështrimi rajonal, parashikohet se tregu i PC-ve në EMEA do të regjistrojë rënie me 14% në vitin 2022, për shkak të mungesës së kërkesës për PC nga konsumatorët.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, rritja e çmimeve dhe mungesa e produkteve për shkak të masave kufizuese në Kinë kanë pasur ndikim të ndjeshëm në kërkesën e konsumatorëve në rajon.

Në përgjithësi, dërgesat globale të pajisjeve (PC, tablet, telefona celularë) pritet të bien me 7.6% në vitin 2022, me Kinën e Madhe dhe Europën Lindore, duke përfshirë edhe Euroazinë që do të regjistrojnë rënie dyshifrore.

Dërgesat e telefonave 5G në Kinën e Madhe pritet të bien në 2022

Ndërsa pritet që dërgesat globale për telefona celularë do të bien me 7.1% në vitin 2022, vlerësohet se dërgesat e smartphone-ve do të ulen me 5.8% me bazë vjetore. Në nivel rajonal, Kina e Madhe do të goditet më shumë, me një rënie dërgesash smartphone-sh me 18.3% në vitin 2022.

Në nivel rajonal, Kina ka udhëhequr përhapjen e telefonave 5G në dy vitet e fundit. Megjithatë, kolapsi i tregut të smartphone-ve në rajon do të sjellë ulje me 2% të dërgesave të telefonave 5G në vitin 2022, pas rritjes me 65% në vitin 2021.

“Në fillim të vitit, tregu i telefonave 5G në Kinë pritej të regjistronte rritje dyshifrore”, – deklaroi Atwal. “Ndikimi i politikës kineze në tolerancën zero Covid-19 dhe bllokimet kanë përmbysur në mënyrë drastike këtë tendencë. Një numër i madh konsumatorësh kanë reshtur së bleri artikuj jo të domosdoshëm, duke përfshirë edhe smartphone-t 5G”.

Në vitin 2022, Gartner parashikon se dërgesat në botë të telefonave 5G do të arrijnë në 710 milionë njësi. Edhe pse bëhet fjalë për rritje 29% krahasuar me 2021, kjo është në rënie krahasuar me pritshmëritë e mëparshme.

“Ritmi i rritjes është në rënie të ndjeshme krahasuar me rritjen prej 47% të parashikuar në fillim të vitit, me një humbje prej 95 milionë dërgesash në telefona 5G” – deklaroi Atwal.

Kërkesa për telefona 5G duhet të rritet me një ritëm më të qëndrueshëm në vitin 2023. “Pjesa më e madhe e përhapjes së 5G do të vijë si pasojë, pasi përdoruesit do të zëvendësojnë telefonat e vjetër 4G në fund të ciklit të jetës me smartphone kompatibël 5G”, deklaroi Atwal.

/ Gartner

You may also like