Paqja dhe dialogu të rëndësishme për rajonin – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri Dimitar Kovaçevski priti në Ohër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kovaçevski, siç thuhet në njoftimin  e qeverisë, ka konfirmuar rëndësinë që Republika e Maqedonisë së Veriut i kushton mbajtjes së këtij takimi të nivelit të lartë, përcjell Klan Maqedoni.

“Kryeministri Kovaçevski përshëndeti pjesëmarrjen e Serbisë në bisedimet në Ohër dhe shprehu kënaqësinë e tij që me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është i mundur një dialog i hapur, i cili ka një rëndësi të madhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe që do të jetë një hap përpara drejt rrugës evropiane të rajonit. Maqedonia e Veriut është pikërisht një shembull i një vendi që të gjitha çështjet e hapura me fqinjët i zgjidh në mënyrë paqësore dhe demokratike, përmes dialogut, me qëllim të përparimit, një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët e saj. Me hapa vendimtarë, Maqedonia e Veriut siguroi mbi të gjitha sigurinë dhe zhvillimin e vazhdueshëm, dhe nga një shtet i kapur dhe i izoluar, sot është faktor stabiliteti në rajon, me marrëdhënie të fqinjësisë së mirë të zhvilluar dhe të ushqyer”, thonë nga qeveria

Kryeministri Kovaçevski dhe presidenti Vuçiq, si njoftohet, janë pajtuar se paqja jo vetëm në të dy vendet por edhe në të gjithë rajonin është e rëndësishme dhe dialogu është i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve. Kovaçevski dhe Vuçiq theksuan se integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është interes politik, i sigurisë dhe ekonomik i BE-së./KlanMacedonia

You may also like