“Paqe” mes Barcelonës e Napolit, Dortmund tronditet në “Signal Iduna Park”

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Surpriza dhe shumë gola në duelet e para të raundit të 1/16-ve në Europa League, ekskluzivitet i Supersport.

Katër takimet e para të mbrëmjes prodhuan 15 gola. Pa fitues përfundoi raundi i parë mes Barcelonës dhe Napolit, Rangers befasoi Borussia Dortmund në Gjermani, teksa hodhën një hap drejt kualifikimit Real Betis dhe Sheriff Tiraspol.

Barcelona nuk ia doli të fitojë në “Camp Nou” përballë Napolit, sfidë që përfundoi në barazim 1-1. Piotr Zielinski kaloi ekipin e Spallettit në avantazh në minutën e 29-të, ndërkohë që Ferran Torres humbi një mundësi shumë të mirë në aksionin paraardhës. Ekipi katalanas reagoi dhe fitoi një penallti të minutën e 59-të. Ferran Torres nuk gaboi më, gjeti golin e parë personal në Europa League me Barcelonën dhe evitoi humbjen e skuadrës së tij.

Vendasit rritën ritmin e ndeshjes dhe tentuan golin e fitores, por Napoli i Amir Rrahmanit (titullar) rezistoi dhe kthehet në Itali me një barazim. Dortmund dështoi në “Signal Iduna Park” përballë Rangers. Kampionët e Skocisë fituan 2-4 falë golave të Tavernier, Morelos, Lundstram dhe autogolit të Zagadou. Goli i talentit Bellingham dhe eurogoli i portugezit Guerreiro mbajnë gjallë shpresat e verdhezinjve, por përmbysja në ndeshjen e kthimit nuk do të jetë aspak e thjeshtë.

Real Betis vijoi formën e mirë që po kalon në kampionatin spanjoll edhe në Europa League. Skuadra andaluziane triumfoi 2-3 në Rusi përballë Zenitit, takim ku të pestë golat e ndeshjes u realizuan në pjesën e parë.

Rodriguez, Willian Jose dhe Guardado shënuan për ekipin mik, teksa Zeniti gjeti barazimin e përkohshëm falë rrjetave të Dzyuba dhe Malcom. Sheriff Tiraspol mposhti 2-0 në Moldavi portugezët e Bragës. Regi Lushkja nuk u grumbullua për këtë takim, që u vendos nga finalizimet e Thill (penallti) dhe Traore.


Top Channel

You may also like