Papa Françesku: T’i jepet fund luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Papa kujtoi ukrainasit që këto Krishtlindje i kalojnë në errësirë, në të ftohtë apo shumë larg familjeve. Nga Sheshi i Shën Pjetrit në Natën e Krishtlindjeve, Papa kërkoi që të heshtin armët.

Papa Françesku ka kërkuar dhënien fund të luftës në Ukrainë. Në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, ai kujtoi në Ditën e Parë të Krishtlindjeve ukrainaset dhe ukrainasit që këto krishtlindje i kalojnë në errësirë, në të ftohtë apo shumë larg familjeve “për shkak të shkatërrimit që kanë shkaktuar 10 muaj luftë.” “Zoti të na ndihmojë me gjeste konkrete të solidaritetit t’u japim ndihmë atyre që vuajnë dhe t’u ndriçojë mendjen atyre që kanë pushtetin të bëjnë që të heshtin armët dhe t’i jepet fund kësaj lufte të pakuptimtë”, deklaroi kreu i Kishës Katolike.

Edhe në rajone e sheshbeteja të tjera të “kësaj lufte të tretë botërore” ka dhunë të përgjakshme, deklaroi Papa. “Të kujtojmë Sirinë, që torturohet ende nga një konflikt i përgjakshëm, që ka kaluar disi në plan të dytë, por që nuk ka marrë fund ende; kujtojmë Tokën e Shenjtë, ku dhuna dhe përplasjet në muajt e fundit janë shtuar me të plagosur dhe viktima. Fjalimit të Papës në mesditë iu bashkangjit edhe bekimi “Urbi et Orbi” – “Për Botën dhe Qytetërimin”. Në fjalimin e tij tradicional Papa i kushtohet zhvillimeve politike aktuale në botë.

Ndërsa në meshën gjigande në vigjilje të Krishtlindjeve, e cila për herë të parë pas dy vjetësh pandemie u zhvillua me praninë e 7000 të ftuarve në Katedralen e Shën Pjetrit, si edhe para 3000 qytetarëve jashtë në shesh, Papa Françesku e vendosi fokusin tek fëmijët që “përpihen nga lufta, varfëria dhe padrejtësia”. Jezu Krishti na fton “të kundrojmë jetën, politikën dhe historinë me sytë e fëmijëve”. Për shkak të luftës dhe urrejtjes, lindja e Jezu Krishtit na kujton “se zoti është me ne, na do dhe na kërkon.”

Të kemi sërish besim

Papa bëri thirrje që të mos mposhtemi nga frika, pafuqia dhe dëshpërimi dhe të ringremë sërish besimin. “Zoti lind në një çerdhe, që t’i ringrihesh, aty ku ti mendon se e ke arritur fundin. Nuk ka asnjë të keqe, asnjë mëkat, nga të cilat Jezu Krishti nuk do apo nuk mund të të shpëtojë. Krishtlindjet nënkuptojnë që zoti është pranë nesh: Le të rilindë sërish besimi!”

Papa iu drejtoi thirrjen të krishterëve që në emër të Jezu Krishtit të kujdesen “për ata që kanë humbur shpresën që ta ringjallin atë sërish.”  Mesha e madhe e përvitshme në Katedralen e Shën Pjetrit u zhvillua më herët dhe pa kufizimet e Coronës. Në mesditë, Ditën e Krishtlindjeve në mesditë pritet që Papa të japë bekimin “Urbi et Orbi” – “Për Botën dhe Qytetërimin”. Në fjalimin e tij tradicional Papa i kushtohet edhe zhvillimeve politike aktuale në botë.

You may also like