Papa dënon Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje

by admin
Spread the love

Papa Françesku kritikoi të hënën Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje kundër demonstruesve që kërkonin respektim më të madh për të drejtat e grave.

Vërejtjet e Papës, të bëra në fjalimin e tij vjetor para diplomatëve të akredituar në Vatikan, ishin më të fortat e tij që nga fillimi i protestave mbarëkombëtare në Iran pas vdekjes shtatorin e kaluar të gruas kurdo-iraniane, 22-vjeçares, Mahsa Amini, në një qendër paraburgimi nga policia.

Në fjalët e tij, Françesku e lidhi kundërshtimin e Vatikanit ndaj abortit me kundërshtimin e tij ndaj dënimit me vdekje, duke thënë se të dyja janë shkelje e të drejtës themelore për jetë.

“E drejta për jetë kërcënohet gjithashtu në ato vende ku vazhdon të shqiptohet dënimi me vdekje, siç është rasti në këto ditë në Iran, pas demonstratave të fundit që kërkonin respekt më të madh për dinjitetin e grave”, tha Françesku.

“Dënimi me vdekje nuk mund të përdoret për një drejtësi shtetërore të supozuar, pasi ai nuk përbën një pengesë dhe as nuk jep drejtësi për viktimat, por vetëm nxit etjen për hakmarrje”, deklaroi ai.

Këto deklarime shënuan komentet e tij të para publike në lidhje me protestat që shpërthyen në Iran në mes të shtatorit të vitit të kaluar për vdekjen e Mahsa Amini.

Gruaja 22-vjeçare vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Iranit për dyshimin se kishte shkelur kodin e rreptë të veshjes së Republikës Islamike.

Gratë kanë luajtur një rol udhëheqës në protesta, ku shumë prej tyre kanë hequr publikisht shaminë e detyrueshme islame, të njohur si hixhab.

Të paktën katër persona janë ekzekutuar që nga fillimi i demonstratave, pas gjykimeve të kritikuara ndërkombëtarisht, të shpejta dhe me dyer të mbyllura./Rel


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like