Pahor: Në dialog ka problem mosbesimi mes Prishtinës dhe Beogradit

by admin
Spread the love

Presidenti slloven, Borut Pahor, tha se e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që në fillim, por se aktualisht ekziston një problem i madh i besimit mes palëve.

“Mbështes dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi. Është një çështje e vështirë, por për momentin ka problem të madh besimi mes palëve. Jam në kontakt me të dyja palët dhe e shoh se sa e vështirë është me atë mosbesim. Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje që kemi frikë se do të rritet edhe më shumë. Nëse nuk ka dialog të fuqishëm, gjithmonë ekziston rreziku i ngjarjeve të tilla që mund të rrisin tensionet. Momentalisht nuk ka dialog të fuqishëm. Mundohem t’i inkurajoj palët që të bëjnë më të mirën sepse marrëveshja e paqes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin e dy vendeve, por edhe për të gjithë rajonin”, tha Pahor.

Në një intervistë për agjencinë Anadollu, Pahor tha se në planin afatgjatë, mënyra e vetme për t’i zgjidhur problemet në Ballkanin Perëndimor është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të vendeve në Bashkimin Evropian. 

Ai deklaroi se ka kohë që po përpiqet të tërheqë vëmendjen e kolegëve të tij në NATO dhe BE për ngjarjet në Ballkanin Perëndimor.

“Disa vende janë nën presion të drejtpërdrejtë nga Rusia”, paralajmëroi ai.

Gjithashtu duke theksuar se Serbia është nën presion të madh për zbatimin e sanksioneve të bllokut perëndimor dhe BE-së, Pahor kujtoi se procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE vazhdon dhe avokoi për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Pahor shtoi se i kushton rëndësi anëtarësimit në BE për të treguar se në anën e kujt janë të gjitha vendet, përfshirë edhe Serbinë.

“Nëse Serbia vendos të marrë anën tjetër, e ardhmja e Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë mund të fitojë një vrull tjetër”, paralajmëroi Pahor.

Ai nënvizoi se dëshiron që sa më shpejt të jetë e mundur të shohë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Zgjidhja e vetme është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE. Mendoj se BE-ja duhet të bëjë më shumë. Ne shohim një proces të ngjashëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe në tensionin ndërmjet grupeve të caktuara etnike në Bosnje dhe Hercegovinë, ku zgjedhjet priten me padurim. Në terma afatgjatë, mënyra e vetme për të zgjidhur këto probleme është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE”, thotë Pahor, duke shtuar se Ballkani Perëndimor do të jetë edhe më i ekspozuar ndaj Rusisë nëse NATO vazhdon të presë.

You may also like