Osmani takohet me ambasadorin Hovenier, flasin për ngjarjet e fundit në vend dhe masat e reciprocitetit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për “vazhdimin e koordinimit për masat e reciprocitetit”.

Në njoftimin nga faqja zyrtare e Presidencës bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për takimin e suksesshëm me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të realizuar javën e kaluar në Washington D.C.

“Në këtë drejtim palët kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm dhe bashkëpunimin konkret me qëllim të thellimit të raporteve mes dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Presidentja Osmani e ka njoftuar Ambasadorin Hovenier për progresin e Kosovës në drejtim të përmbushjes së zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, me ç’rast shprehu mirënjohje për vlerësimin pozitiv të punës së institucioneve të Kosovës nga ana e Sekretarit Blinken.

Gjatë kësaj dite Hovenier, është takuar edhe me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Hovenier ka bërë të ditur se me të kanë biseduar për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, dhe për rëndësinë e uljes së tensioneve.

Ambasadori amerikan e ka ripërsëritur qëndrimin e tij se veprimet e fundit për reciprocitet janë në një linjë me marrëveshjet e Brukselit.

Ndërkaq, Hovenier, këtë javë kishte deklaruar se masa e reciprocitetit të targave dhe ajo e dokumenteve kanë qenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Hovenier ka theksuar se ShBA-ja ka mirëpritur vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit.

“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier.

Ndërsa, ShBA-ja ka kërkuar të shtyhet implementimi i vendimeve për 30 ditë. Zbatimi i vendimeve është shtyrë deri më 1 shtator, por me kusht që të hiqen barrikadat në veri.

You may also like