Osmani: SHBA-të nuk kanë kërkuar të heqim dorë nga njohja reciproke – 90% e serbëve të Kosovës i konvertuan targat e automjeteve në RKS

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës një marrëveshje finale me Serbinë, pa njohje reciproke.

“Është rikonfirmuar edhe nga partnerët tanë strategjik, që njohja reciproke është e vetmja zgjidhje që sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Janë tjetër gjë propozimet për marrëveshje specifike që diskutohen në Bruksel siç është çështja e energjisë, të zhdukurve me dhunë etj. Nuk ka pas kërkesë qoftë nga SHBA ose partnerët e BE-së që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se njohja reciproke është domosdoshmëri të jetë pjesë e marrëveshjes finale.

Duke folur për çështjen e targave dhe kërkesën e emisarit të SHBA-ve që vendimi për konvertimin e tyre të shtyhet edhe për 10 muaj, Osmani u shpreh se çështja e targave është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit.

“Mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë i kanë konvertuar targat e paligjshme në targat e Kosovës. Sa i përket një pakice që ende nuk i ka konvertuar targat dhe i shfrytëzojnë tagrat e kohës së Millosheviqit kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Është e pamoralshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm në Kosovë, duhet tu jepet fund bandave kriminale që kërcënojnë qytetarët tanë serb”, ka thënë Osmani.

Presidentja theksoi se nëse për vite me radhë kërkesa e partnerëve ndërkombëtar ka qenë sundimi i ligjit, atëherë të mbështesin Kosovën që vetëm atë po e bënë.

“Partnerët tanë ndërkombëtar nëse për vite kanë kërkuar që Kosova të punoj në sundimin e ligjit, ne këtë po e bëjmë. Andaj pres nga partnerët tanë që të na mbështesin në sundim të ligjit në trajtimin e të gjithëve në mënyrë të barabartë”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend e ligj e asnjëherë për tensionim.

“Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale që mbështeten e financohen nga Vuçiqi. Fokusi duhet të jetë aty te burimi i tensioneve e shantazheve, ai burim nuk ka qenë e as nuk është në Kosovë, ai burim ka qenë edhe është sot vetëm në Serbi, aty duhet të drejtohet presioni e jo në Kosovë”, tha Osmani.

You may also like