Osmani nga Brukseli: Topi është tek Republika e Bullgarisë

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit formal për punë të jashtme të BE-së me ministrat nga Ballkani Perëndimor. Osmani porositi se i takon Bullgarisë ta shfrytëzojë momentin politik për shpëtim të kredibilitetit të BE-së në rajon, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Për herë të parë sot, gjashtë ministrat e punëve të jashtme nga vendet e Ballkanit Perëndimor u ftuan të jenë pjesë e Këshillit të rregullt formal për punë të jashtme të ministrave të BE-së. Temë e takimit ishte lufta në Ukrainë, pasojat e saj dhe ndikimi i Rusisë në rajon.

Ministri Osmani, për MIA-n deklaroi se para kolegëve të tij nga BE-ja ka paralajmëruar për pasojat ekonomike dhe politike nga ky konflikt në rajon, si dhe nevojën për t’u shpëtuar kredibiliteti i BE-së mu në këtë moment, me atë që do të zhbllokohet procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Për palën tonë, hapin e radhës e ka Bullgaria, Maqedonia e Veriut përmbushi gjithçka që ishte kërkuar prej saj.

“Do të përsëris, topi është tek Republika e Bullgarisë. Republika e Bullgarisë duhet të vendosë nëse do ta shfrytëzojë këtë moment për tërë rajonin pas këtyre ngjarjeve në Ukrainë, nëse BE-ja do të ndërmarrë lidership strategjik në rajon. Republika e Maqedonisë së Veriut ishte partnere konstruktive në këto bisedime, në përmbushjen e këtyre kritereve. Druaj se mund të humbet ky moment që e kemi tani. Dhe siç thashë në vetë Këshillin për punë të jashtme, dhurata më e madhe për Rusinë do të jetë mu rrënimi i kredibilitetit të BE-së në rajon”, deklaroi Osmani për MIA-n dhe potencoi se në këtë moment nuk ka marrëveshje mes dy palëve, e cila mund të jetë bazë për nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje, por se po shqyrtohen mënyra për t’u përputhur qasjet e ndryshme në zgjidhjen gjithpërfshirëse.

Këtë, Osmani e deklaroi dot para 27 ministrave të BE-së, mes të cilëve edhe ministres bullgare, Teodora Gençovska, e cila, sipas burimeve të MIA-s, nuk tregoi fleksibilitet në takimin e sotëm.

Në rast se Bullgaria sërish e bllokon Maqedoninë e Veriut në qershor, Osmani thotë se do të duhet “të ulemi dhe të shohim” se si më tutje.

“Ai që do të humbë më shumë do të jetë momenti politik, sepse gjithnjë e më pak shoh kapital politik në të dy shtetet i cili mund të fokusohet me qëllim që të arrihet zgjidhje mes dy shteteve, e me atë edhe për perspektivën evropiane të rajonit. Shpresoj se partnerët tanë bullgarë do ta njohin atë moment, i cili është tani, ndërkaq se çka më tutje, do të duhet të ulemi dhe të shohim”, tha ministri.

Njëkohësisht, Maqedonia e Veriut, përmes shefit të diplomacisë, bëri me dije sot se BE-ja duhet ta ndihmojë shtetin të përballet me pasojat nga lufta: kriza energjetike, inflacioni, rritja rekorde e çmimeve të prodhimeve themelore, tërë kjo paralelisht me shpalljen e statusit të Maqedonisë së Veriut si “vend armik” nga ana e Rusisë, për shkak të harmonizimit me sanksionet perëndimore.

“Raporti jonë ndaj Rusisë është bindja jonë morale dhe strategjike, ajo është ana e duhur e historisë, por pasojat i ndajmë së bashku me BE-në. Takime të tilla pata edhe sot në Komisionin evropian, tregova për pasojat ekonomike që i ka shteti për shkak të asaj dhe qasjes së përbashkët. KE-ja tashmë solli vendim se vendet nga Ballkani Perëndimor mund të hyjnë në sigurimin e përbashkët të gazit, flasim për mbështetjen makrofinanciare të vendit, fola për tentimet për diversifikim të burimeve të energjisë”, porositi shefi i diplomacisë Osmani.

Lidhur me ndihmën makrofinanciare dhe shumën që e kërkon Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Evropian, ministri deklaroi se me ato çështje merret Ministria e Financave dhe Qeveria, por se ka marrë përshtypje se në Union dhe në komisionin evropian ka mirëkuptim.

Mendoj se janë të vetëdijshëm në Komisionin evropian dhe në Bashkimin Evropian dhe po përpiqen ta përfshijnë në ato masa për zbutje të pasojave, për ne mendoj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm procesi qasës sepse ai është bazë për më tutje për çështjet e tjera”, theksoi Osmani, i cili përsëriti se muajt në vijim, e madje edhe vitet, parashihet të jenë periudhë e krizës jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për tërë BE-në.

Sipas informatave të MIA-s, në takimin e sotëm është bërë fjalë edhe për propozimin për bashkësinë evropiane politike të presidentit francez, Emanuel Makron. Vendet nga Ballkani Perëndimor fituan bindje se ky propozim nuk do të thotë alternativë për anëtarësim të plotë në BE, por pa hollësi të tjera. Detajet nga ky plan, Makroni pritet t’i ndajë fillimisht me kolegët e tij. liderë të BE-së, në samitin e radhës të BE-së, në fund të majit.

 

You may also like