Opozita “përfaqëson” shtetin në SHBA, pushteti rri në Kosovë – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Zyrtarë kosovarë po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht, atje për takime ndodhet kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ndërsa do të shkojë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi. Nga komunat ka udhëtuar Bashkim Ramosaj kryetar i Deçanit por jo edhe kryetarët e komunave nga VV dhe ministrat e Qeverisë Kurti, që i kishin të aranzhuara takimet. Amerikanët atyre u thanë se nuk është koha e duhur për të udhëtuar në SHBA në kohë krize, duke iu referuar tensioneve që ka shkaktuar vendimi për targat.

Ndryshe nga zyrtarët e shtetit, ata nga opozita kanë udhëtuar drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I pari që ka mbërritur atje është , kryetari i Komunës së Deçanit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bashkim Ramosaj. Ai ditën e hënë ka publikuar fotografi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe po i vazhdon vizitat dhe takimet nëpër vende të ndryshme atje.

Ramosaj ka njoftuar të hënë për takimin me Sekretarin e Shtetit të Iowas, Michael Ross, ndërsa takime të ndryshme po vazhdon të realizojë edhe sot.

Përveç Ramosajt, në SHBA tashmë ka arritur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa pritet të shkojë dhe ai i PDK-së Memli Krasniqi.

Por atje, s’ka mundur të udhëtojë kreu i Komunës së Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, edhe përkundër faktit se është pajisur me vizë amerikane.

Siç pretendoi ai, vizita për në Amerikë është shtyrë më kërkesë të tij, kërkesë e cila shihet qartë se vjen si rezultat i vendimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka sugjeruar një numër zyrtarësh që të mos udhëtojnë përtej Atlantikut në këtë periudhë kohore.

Siç ka shkruar Bulliqi në e-mailin ku ka njoftuar për anulimin e vizitës, një vendim i tillë ka ardhur si rezultat i situatës së krijuar në veri të Mitrovicës. Edhe sugjerimi i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë se nuk është mirë që zyrtarët apo ministrat të udhëtojnë përderisa ka krizë në Kosovë.

Drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës s’kanë mundur të udhëtojnë as tre ministrat e Qeverisë Kurti, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi. Për këtë çështje ka folur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, duke konfirmuar se ka qenë sugjerim i Ambasadës që të njëjtit të mos udhëtojnë drejt SHBA-së shkaku i krizës për targat.

“Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme për ministrat që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Një vendim i tillë i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë ka ardhur si rezultat i një refuzimi të vazhdueshëm të thirrjes së tyre për shtyrje të plot të afatit për implementimin e vendimit për targat, çështje kjo që edhe ka tensionuar veriun e vendit.

Nga Washingtoni ka pasur një sërë deklaratash të cilat kanë konstatuar zhgënjimin e Amerikës me Qeverinë e Kosovës për shkak të refuzimit të kërkesës për shtyrje të vendimit për targat.

Ndihmëssekretarja e Shtetit, Karen Donfried në një konferencë për media ka deklaruar se Washingtoni s’ka kërkuar shtyrje të pjesshme apo implementim të shkallëzuar, por një shtyrje të plotë. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga veprimet që tensionojnë edhe më tepër situatën.

Në Kosovë ka pasur reagime të shumta lidhur me një zhvillim të tillë, meqë shtyrja e vizitave të ministrave dhe kryetarëve të Komunave është parë si një “sanksion” amerikan si rezultat i veprimeve të Qeverisë së Kosovës./GazetaExpress/

You may also like