OKB: Të eksplorohen mënyra të reja për ta bërë Izraelin të pajtohet me të drejtën ndërkombëtare

by admin
Spread the love

Ish-komisarja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, iu drejtua Këshillit të të Drejtave të Njeriut me raportin e parë të komisionit për territoret e pushtuara palestineze dhe Izraelin.

“Është pikëpamja jonë e fortë gjithashtu se pushtimi i vazhdueshëm i territoreve palestineze duke përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Gazën, bllokada 15-vjeçare e Gazës dhe diskriminimi i gjatë brenda Izraelit, janë të gjitha të lidhura dhe nuk mund të shikohen si çështje të izoluara”, tha Navi Pillay.

“Duke pasur parasysh refuzimin e qartë të palës izraelite për të marrë masa konkrete lidhur me zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të komisioneve të mëparshme, komuniteti ndërkombëtar duhet urgjentisht të eksplorojë mënyra të reja për të siguruar përputhjen me të drejtën ndërkombëtare”, shtoi ajo

Ish-juristja afrikanojugore vuri në pah se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në marrjen e masave domethënëse për të siguruar përputhjen e Izraelit me të drejtën ndërkombëtare dhe për të ndikuar që ai t’i japë fund okupimit.

Pillay tha se gjendja e “pushtimit të përhershëm” të Palestinës dhe diskriminimi i gjatë si në Izrael ashtu edhe në Palestinë janë një shkak kryesor e themelor i dhunës së vazhdueshme.

“Kërcënimet e zhvendosjes së detyruar, prishjet, ndërtimi dhe zgjerimi i vendbanimeve të jashtëligjshme, dhuna e kolonëve dhe bllokada e Gazës kanë kontribuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë në cikle dhune”, vlerësoi ish-shefja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Sipas saj, realiteti i qëndrueshëm për dekada sjell një ndjenjë të përgjithshme dëshpërimi dhe mungese shprese brenda popullatës palestineze në Palestinë, Izrael dhe diasporë.

“Ata kanë mbetur pa shpresë për një të ardhme më të mirë që u siguron atyre gamën e plotë të të drejtave të njeriut, pa diskriminim”, tha ajo.

Pasi bëri me dije se Komisioni u përpoq të kontaktonte qeverinë izraelite për të hetuar shkeljet e të drejtave në Palestinë, zyrtarja e Kombeve të Bashkuara tërhoqi vëmendjen se Izraeli refuzoi t’i mundësonte Komisionit hyrjen në territoret e pushtuara palestineze.

Pillay deklaroi se dështimi i zbatimit të rezolutës së OKB-së për Izraelin ka çuar në përsëritjen e dhunës sistematike të Izraelit në Palestinë.

“Okupimi (në territoret palestineze) duhet të përfundojë menjëherë dhe të gjithë në Palestinë e Izrael duhet të sigurohen për të gjitha të drejtat e tyre, përfshi këtu të jetuarit në paqe e siguri me fqinjët e tyre, pa asnjë diskriminim”, përfundoi Navi Pillay.

You may also like