Nga: Instituti ” Arbën Xhaferi”
Numri dhe përkatësia kombëtare e të burgosurve në RMV: shqiptarët kanë dy herë më shumë gjasa për të vuajtur dënim me burg sesa maqedonasit; romët 6 herë më shumë
Mos votimi në fillim të nëntorit të projektligjit për amnisti të paraqitur nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, lëkundi themelet e koalicionit qeverisës. Nga vëzhguesit, kjo u komentua si poshtërim i Aleancës për Shqiptarët nga partneri i koalicionit SDSM, nën presionin e VMRO-DPMNE-së.
Debati publik pas mosvotimit të projektligjit u karakterizua me akuza brenda koalicionit qeverisës dhe deklarata nxitëse nga të dyja palët, ndër tjera se shumica e të burgosurve në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë.
Nisur nga ky debat, Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i drejtoi një kërkesë për qasje në informacione me karakter publik Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, duke kërkuar numrin dhe përkatësinë kombëtare të të burgosurve sipas qendrave të burgimit.
Sipas përgjigjes së dhënë nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve më 21 nëntor 2023:
- Janë gjithsej 2.216 të burgosur që vuajnë dënimin me burg në 12 qendrat e burgimit të vendit;
- Prej tyre, 761 (ose 34,34%) janë shqiptarë, 798 (ose 36,01%) janë maqedonas, 106 (ose 4,78%) janë turq, 383 (ose 17,28%) janë romë dhe 29 (ose 1,31%) janë serbë. Sipas Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, 126 të burgosur janë shtetas të huaj, ndërsa për 9 të burgosur në Burgun e Shutkës, Drejtoria nuk arriti të siguronte përkatësinë kombëtare.
- Burgu i Idrizovës është më i populluari me 1.205 të burgosur, prej të cilëve 530 (ose 43.98%) janë shqiptarë kundrejt 310 (ose 25.73%) maqedonas.
- Burgu i dytë më i madh është ai Shtipit, me 217 të burgosur, prej të cilëve vetëm 10 (ose 4,6%) janë shqiptarë.
- Burgu i tretë më i madh është Shutka, me 170 të burgosur, prej të cilëve 70 (ose 41,18%) janë shqiptarë dhe 61 (ose 35,88%) janë maqedonas.
Ajo që bie në sy nga këto shifra janë dy konkluzione kryesore:
- Maqedonasit si komuniteti më i madh në vend janë dukshëm më pak të përfaqësuar në burgje. Maqedonasit janë 23,5% më pak të përfaqësuar në popullatën e të burgosurve (36,01%) në krahasim me përqindjen e tyre në popullatën e përgjithshme të vendit sipas rezultatit të regjistrimit të vitit 2021 (57,86%).
- Të gjitha komunitetet tjera kryesore në vend janë të mbipërfaqësuara në burg, veçanërisht romët (17,28% e popullsisë së burgosur kundrejt 2,5% të popullsisë së përgjithshme, apo një mbipërfaqësim prej 14,8%) dhe shqiptarët (34,34% e popullsisë së burgosur kundrejt 31,51% e popullsisë së përgjithshme, apo një mbipërfaqësim prej 4,5%).
Me fjalë të tjera, shqiptarët kanë dy herë më shumë gjasa për të vuajtur dënim me burg sesa maqedonasit. Romët kanë 6 herë më shumë gjasa të përfundojnë në burg sesa maqedonasit.
Mbipërfaqësimi i romëve dhe shqiptarëve në burgje, me gjasë është reflektim i dënimeve me burg disproporcionalisht më të larta dhe i kohëzgjatjes së qëndrimit në burg mesatarisht më të gjatë sesa për maqedonasit.
Reformat të vërteta në sistemin e drejtësisë penale nuk mund të arrihen pa e pranuar dhe adresuar këtë diskriminim në baza kombëtare. Kjo gjë kërkon mbledhje dhe analizë të mëtejshme të të dhënave, për të identifikuar shkaqet rrënjësore të diskriminimit në baza kombëtare, veprat e të dënuarve dhe vitet e dënimeve. Jetike është të kuptohen tendencat gjyqësore për të informuar politikëbërjen për adresimin e faktorëve që çojnë në dallimet në baza kombëtare në dënimet me burg, kohëzgjatjen e qëndrimit dhe popullsinë e përgjithshme të burgjeve.
Rekomandime:
Lidhur me çështjen e mbipopullimit të burgjeve dhe kushteve të rënda në qendrat e burgimit, vlen të theksohet se Veç kësaj, burgu i Idrizovës dhe ai i Shutkes, ku vuajnë dënimet shumica e shqiptarëve të burgosur, vazhdojnë të veçohen për kushtet çnjerëzore, si në raportet e organizatave vendore ashtu edhe të atyre ndërkombëtare. Praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat etablon se kushtet e këqija të burgimit mund të konsiderohen si shkelje e nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me ndalimin e torturës.
Në përputhje me rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Maqedonia e Veriut duhet urgjentisht të ndërmarrë masa për përmirësimin e kushteve në burgje, përfshirë rinovimin e ndërtesave më të vjetruara të burgut të Idrizovës dhe rritjen e kapaciteteve apo gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme jashtë vendit, pse jo duke marrë me qira hapësira në burgjet e ndonjë vendi fqinj si Kosova.
Krahas kësaj, Maqedonia e Veriut duhet të rrisë përpjekjet për të promovuar dënimet alternative, siç janë dënimi me kusht, gjysmëliria apo urdhri për punë në dobi të përgjithshme.