Nuk u takuan as në Pragë, Vjosa Osmani flet për marrëdhëniet me Edi Ramën

by admin
Spread the love

Vijon marrëdhënia e ngrirë mes Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Pak javë më parë, të dy ishin në selinë e OKB-së, por nuk u takuan mes tyre. Nuk u takuan as në Pragë ku u mblodhën 44 krerë shtetesh. E konfirmoi këtë vetë kryetarja e shtetit të Kosovës në një intervistë për REL. Osmani tha se nuk kishte nevojë për një takim të tillë.

“Jo, sepse natyrisht që fokusi im ka qenë që të marr përkrahjen e shteteve, të cilën [përkrahje] nuk e kemi akoma dhe jo përkrahjen e shteteve të cilën e kemi. Dhe, natyrisht që përkrahjen e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ne e kemi të qartë.

Nuk kam nevojë unë ta bind Shqipërinë që të votojë pro Kosovës. Ta zëmë në Këshillin e Evropës, por kam nevojë që t’i bind shumë shtete të tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës që të na përkrahin në këtë proces të anëtarësimit. Dhe fokusi i takimeve bilaterale ka qenë aty” – tha Osmani. Përplasja e parë u krijua në vizitën që Osmani kreu në Tiranë sapo mori mandatin në dhjetor 2020. Ateherë ajo kërkoi që Tirana të ngrejë zërin për krimet e luftës që serbët kanë bërë në Kosovë.

“Është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë. Mund ta gjeni në fjalimet e tij. Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë, thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid, kur, në fakt, ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dhe, ne jemi të bindur që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës” – tha Osmani .

Më pas erdhi çështja e Ballkanit të Hapur ku sërish palët nuk bashkohen.

“Sa u përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar. Sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik” – thotë kryetarja e shtetit të Kosovës.

Por a është kjo një krisje edhe në raporte personale.

“Nuk ka çarje që ka të bëjë me raporte ndërpersonale. Sepse ato janë tërësisht të parëndësishme dhe do të jenë gjithnjë të parëndësishme. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë dhe do të kenë gjithnjë raporte vëllazërore dhe kjo nënkupton që ne e përkrahim kudo që mundemi dhe Shqipëria na përkrah neve si Republikë e Kosovës kudo që mundet” – tha Osmani.

Ajo hodhi poshtë pretendimin se nismën Ballkani i hapur mbështet edhe nga SHBA dhe BE duke treguar: “Ne e kemi pasur një takim me sekretarin [amerikan] të Shtetit [Antony Blinken] dhe kjo çështje as nuk është ngritur, as nuk është kërkuar nga ana jonë”.

Osmani nënvizoi se parakushti i SHBA është që në këtë nismë të jenë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, por tashmë janë vetëm 3. Edhe për pretendimin se kjo është një nismë ekonomike dhe jo politike, Osmani ka një përgjigje. “Asgjë në Ballkanin Perëndimor nuk mund t’i ikë atij lensit politik. Gjithçka, në fakt, është politike. Sidomos kur Serbia ka rol kyç në të”.

You may also like