Nuk ka surpriza në Kupë, ja skuadrat që kualifikohen për në raundin tjetër

by admin
Spread the love

Nuk ka surpriza në Kupën e Shqipërisë, me Vllazninë që triumfoi 4-0 ndaj Labërisë dhe zhvlerësoi humbjen 2-1 në ndeshjen e parë, duke vijuar më tej aventurën në fazën e 1/8-ave.

Shkodranët kishin vlerësuar maksimalisht këtë takim dhe kishin hedhur në fushë formacionin më të mirë, teksa Gjurgjevic, Aralica, Mustedanagic e Heriç ia dolën të dërgojnë topin në rrjetë e të vulosin kualifikimin.

Kukësi triumfoi 4-0 ndaj Maliqit, duke zhvlerësuar barazimin pa gola në ndeshjen e parë dhe duke siguruar kalimin, teksa bëri të njëjtën gjë edhe Laçi, që ia doli të triumfojë 4-0 ndaj sarandiotëve të Butrintit.

Edhe pse kishte siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë, Tirana nuk e nënvlerësoi aspak përballjen me Shkumbinin dhe arriti të shënojë plot 6 herë brenda 45 minutave të para, për të vijuar më tej me rezultatin e përgjithshëm 9-0.

Fituan me goleada edhe Skënderbeu, 4-0 ndaj Koplikut dhe Partizani 3-0 ndaj Tërbunit, ndonëse edhe këto dy skuadra kishin vulosur kualifikimin që në ndeshjen e parë. Ia doli të avancojë më tej edhe Korabi, që pas humbjes 2-1 në Vorë, përmbysi gjithçka në Peshkopi me fitoren 4-1, ndërsa Teuta e Luzi u ndanë në barazim 2-2, por bregdetarët avancuan më tej falë fitores 4-1 në ndeshjen e parë.

Me një gol në sekondat e fundit, ia doli të kualifikohet edhe Egnatia, që pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë ndaj Turbinës, fitoi 1-0 në Rrogozhinë, ndërsa Kastrioti fitoi edhe ndeshjen e dytë ndaj Elbasanit, sërish me shifrat 2-0.


Top Channel

You may also like