Nuk ka rrymë të lirë bullgare, Maqedonia do ta blejë shtrenjtë, ndaj do t’i lutet BE-së për ndihmë

by admin
Spread the love

Maqedonia dhe Bullgaria duket se janë gjithnjë e më larg marrëveshjes për blerjen e energjisë elektrike të lirë, shkruan Alsat.

Qeveria kërkon të blejë energji elektrike me 200 euro për megavat orë, që është shumë më poshtë se çmimi në bursë, i cili shkon deri në 800 euro. Energjia elektrike nga Bullgaria shitet për rreth 400 euro.

Por, përkundër njoftimeve dhe optimizmit nga Qeveria në Shkup se do të arrihet marrëveshje me Sofjen, kjo nuk u konfirmua në takimin e sotëm të dy presidentëve Pendarovski dhe Radev në Sofje. Përkundrazi, Pendarovski konfirmoi se pala bullgare mund të shesë ekskluzivisht sipas çmimeve të bursës.

“Rregulli është që një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, që ka tepricë të energjisë elektrike duhet ta shesë atë në tregun botëror…”, tha Stevo Pendarovski, President.

Por, ekziston një opsion, pasi Maqedonia të blinte përfundimisht sasitë e nevojshme të energjisë elektrike nga Bullgaria me çmimet e tregut të bursës, ajo mund të kërkojë nga Bashkimi Evropian kompensim të caktuar financiar.

“Janë disa mekanizma, njëri prej të cilëve është aplikuar, sidomos gjatë krizës COVID, për të kërkuar nga ata të ashtuquajturit fondet e kompensimit të BE-së, për të kompensuar shtetin, i cili përfundimisht do të duhet të blejë energji me çmime botërore”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Në takimin e sotëm me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, Pendarovski pyeti se nëse përfundimisht arrihet një marrëveshje e tillë me Bullgarinë, Brukseli mund të shpejtojë me dhënien e kompensimeve për vendin. Ajo iu përgjigj: Nëse ndiqen procedurat dhe nëse aplikimi është në rregull, ai mund të përfundojë në disa javë, jo në disa muaj.

Mirëpo, mbrëmë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në emisionin 360 Gradë, tha se vendi në asnjë mënyrë nuk do të pranojë blerjen e energjisë elektrike nga Bullgaria me çmime në bursë.

“Kjo është ekskluzive për emisionin tuaj, sot kemi pasur bisedimet e fundit me palën bullgare, ku kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë, dhe ajo që ka thënë deri më tani pala bullgare nuk qëndron, sepse kemi leje nga Komisioni Evropian të ketë një marrëveshje dypalëshe dhe atë në përputhje me rregullat e KE-së”, u shpreh Kreshnik Bekteshi- Ministër i E.

Bullgaria është një nga vendet e pakta në Evropë, që ka teprica të energjisë elektrike, kryesisht për shkak të termocentralit bërthamor Kozloduj.

Lexo lajme interesante

You may also like