Nuk është mëkat të votosh për të “barazlarguarin” Arlind Qori

by admin
Spread the love

Pak ditë më parë në hapsirën publike nisi një debat, i provokurar nga ideja e Fatos Lubonjës se ata që ai i quante si “të barazlarguar”, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përligjin regjimin e Ramës. Teza kryesore e shkrimit të tij qe se secili që mban një distancë higjenike si nga pushteti, po ashtu edhe nga opozita, vetëm i shërben grushtit të shtetit nga lart, që kjo mazhorancë po vë në jetë që prej viteve 2015- 2017. 

Lexo më tej shkrimin e plotë të Lubonjes:

Të baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës

Rahja e ideve u bë edhe më interesante kur në lojë u futën edhe dy aktorë të rij, që e akuzuan intelektualin se po bënte thirrje për t’iu bashkëngjitur pa kushte Berishës dhe Metës, duke mos pranuar asgjë përtej kësaj klase të vjetër dhe të ezauruar politike. Në një replikë në Lajme, Blendi Kajsiu, mbajti qëndrimin se pikërisht kjo thirrje që ai e lexonte si përkrahje për dy parti të stërprovuara, si PD e PL, të pa afta të bëjnë përvete më shumë se gjysmën e shqiptarëve, shndërohej në pengesë për mundësinë e ndryshimit. 


Nga ana tjetër, në një debat në “Open”, nisur nga shprehja e Lubonjës se vota për “Nisma” është e çuar dëm, kreu i këtij formacioni që kandidon për këshillin bashkiak të Tiranës, Endri Shabani e quajti absurde kërkesën për të mos përfaqësuar në institucione ata nuk e duan Ramën, por janë të lodhur nga Saliu e Iliri.

Replikë me Lubonjën: Mbi rrëzimin dhe legjitimin e “regjimit” Rama

Vetë personalisht, jam shumë më pranë pjesës më të madhe të idesë së Lubonjës. Kjo për disa arsye. Ai ka të drejtë kur thotë se Rama ka asgjesuar pluralizmin dhe ka bërë të pamundur rotacionin. Ai qëllon në shenjë kur thekson se duke kapur mediat, nënshtruar drejtësinë dhe në aleancë të fortë me krimin dhe oligarkët, autokrati shqiptar, nuk ka vrarë vetëm mundësinë e ndryshimit të pushtetit me votë, por edhe shpresën e ngritjes së opozitave të reja. Në një sistem ku të gjitha partitë e krijuara rishtas marrin më pak vota se sa individë si Tom Doshi apo Aqif Rakipi, duhet pranuar se ka një anomali demokratike. Në një mjedis ku edhe lëvizje të bukura qytetare, si psh ajo për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar blehen apo shantazhohen duke shkuar drejt mpakjes, faji nuk mund ti lihet dyshes Berisha-Meta, por regjimit që masakron çdo alternativë edhe përtej atyre. 

Pra edhe sikur të imagjinonim një krijesë ideale, të pastër moralisht, të qartë ideologjikisht dhe të vendosur politikisht, ajo do e kishte pothuajse të pamundur të bëhej konkuruese në kushtet e një shteti të kapur. Pa rinisur lojën demokratike, çdo përpjekje do të ishte e kotë.  

Në këtë kompozim, zgjedhja që bën Lubonja për tu kthyer tek tre bandat që ruajnë dhe kontrollojnë njëra tjetërën, është një e keqe më e vogël sesa nënshtrimi i të tërëve nga banda më e fortë, ajo e rilindjes. Dhe këtu duket sikur ai ka tërësisht të drejtë.

Polemika/ Kush ka të drejtë për regjimin, Lubonja apo Kajsiu? 

Por duke bërë këtë pohim, dikush mund të pyesë: Si mundet që ti mbështet tezën e Lubonjës, ndërkohë që ke shpallur publikisht votën për një “të barrazlarguar”, si Arlind Qori, në Tiranë? A nuk ka këtu një paradoks të pakëpërcyeshëm? A nuk është vota për të rinjtë e majtë të lëvizjez “Bashkë” një votë e çuar dëm?

Po e filloj nga kjo e fundit.

Kur vendosa të votoj për Arlindin dhe atë grup të rijsh të majtë që e mbështesin, u nisa nga një fakt i thjeshtë. Ata mu dukën të vetëmit aktorë origjinalë në këtë garë, që përpos denoncimit të shkatërrimit të Tiranës kanë guximin, që i mungon partive të vjetra, të tregojnë me gisht edhe oligarkët që janë bërë pjesë e kësaj të keqeje. Duke ndjekur videot (që meqë ra fjala nuk i jep asnjë ekran i madh televiziv) e kandidatit për Tiranën, që denoncon kullat që kanë ngrënë sipërfaqet e gjelbarta tek liqeni, Ramën dhe Veliajn që i kanë firmosur, por edhe nëdërtuesit që kanë bashkëpunuar me ta, u binda se kjo lloj fushate është një vlerë e shtuar në debatin për qytetin. Ai i jep moral betejës politike dhe vendos një standart të patentuar deri më sot, as nga opozita zyrtare.   

Po nëse Arlind Qori bëka fushatë kaq ndershëmrisht dhe dika të vendoska gishtin mbi plagë, pse qenkëshësh i përjashtuar nga hipoteza e fitores- mund të pyesë dikush? Përgjigjja gjendet më lart tek argumentat që jep Lubonja për vrasjen e garës, pamundësinë e konkurimit dhe mpakjen e vlerës së votimit.  

Atëherë, në këtë rast, a nuk është e kotë ta harxhosh votën për lëvizjen Bashkë? 

Natyrisht që jo. Dhe këtu është ajo pjesë e vogël ku unë ndahem me Fatos Lubonjën. Ai ka të drejtë kur bën thirrje për bashkim kundër një regjimi anti demokratik. Askush nuk duhet të ketë asnjë kompleks të rreshtohet qoftë edhe me Berishën e Metën, kur fjala është për denoncimin e koncesioneve, vjedhjes me inceneratorët, degjenerimit të SPAK-ut, kapjes së drejtësisë, tregimit me gisht të patronazhistëve dhe hajdutëve të votës. Ky front duhet të jetë unik për të kërkuar ringjalljen e demokracisë dhe shtetit ligjor, që i shërbën të gjithëve. Por ai ka vlerë vetëm në përiudhën midis dy palë zgjedhjeve sepse, kur prezantohet përpara njerëzve, çdo formacion duhet të shpalosë fytyrën dhe bindet e tij.

Çfarë synon “Bashkë”, partia më e re e Arlind Qorit

Pra ne mund ti kërkojmë lëvizjes Bashkë dhe Arlind Qorit të reshtohet me këdo kundër monizmit shtetëror, por nuk mund ti privojmë ata nga drejta e denoncimit real të sistemit oligarkik, gjë që nuk e bën askush tjetër përveç tyre. Nëse zëri i tyre do mbytej brenda kufizimeve të opozitës tradicionale, fushata do të ishte edhe më fake dhe më e shpifur sesa po zhvillohet realisht. Nga ana tjetër standarti që ata po reken të ngrenë i vë edhe PD e PL-në përballë një presioni më të madh publik, në betejën e tyre kundër Ramës. 

Pra është e drejtë të jesh kundër të barazlarguarve në jetën e përditshme, por jo me çmimin e sakrifikimit elektoral të të gjithë atyre që ndihen të ndryshëm nga tre partitë e mëdha. Për këtë mendoj se nuk ka asnjë kontradiktë që edhe të përkrahësh thelbin e tezës së Lubonjës edhe të jesh një votues i Arlind Qorit.  

©Lajme         

You may also like