Normat e piraterisë në BE janë më të larta në mesin e të rinjve të arsimuar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg
Raporti i Pronësisë Intelektuale shkruan se të rinjtë në BE vazhdojnë të përdorin materiale të paligjshme, duke rrezikuar sigurinë kibernetike

 

Një kërkim i ri, i publikuar nga Zyra e Bashkimit Europian për Pronësinë Intelektuale, tregon se pirateria mbetet e përhapur te të rinjtë në BE. Arsyeja më e shpeshtë është mungesa e përmbajtjeve ekonomike.

Është interesante se shkalla e piraterisë te të intervistuarit me arsim universitar është thuajse dyfishi krahasuar me ata me arsim të mesëm apo më pak. Zyra e Bashkimit Europian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO) kryen rregullisht studime, për të verifikuar evoluimin e normave të piraterisë në kohë.

Studimet ndihmojnë gjithashtu publikun dhe ligjvënësit të identifikojnë barrierat e ndryshme dhe faktorët që qëndrojnë pas këtij aktiviteti, si dhe në krijimin e politikave të ardhshme.

Javën e kaluar, Zyra e Bashkimit Europian për Pronësinë Intelektuale publikoi edicionin e fundit të Raportit trevjeçar të Pronësisë Intelektuale dhe Rinisë 2022. Kërkimi mbështetet në një sondazh të kryer në fillim të vitit te 22.021 të rinj (mosha 15 – 24 vjeç) në shtetet anëtare të BE.

Raporti i fundit gjurmon evoluimin në kohë të zakoneve të piraterisë së të rinjve në BE. Një nga përfundimet kryesore identifikon rënien graduale të përqindjes së njerëzve që kanë piratuar të paktën një herë në vitin e fundit.

 

Shkalla e piraterisë, 33%

Shkalla e piraterisë në BE ka rënë nga 39% në vitin 2016 në 33% këtë vit. Edhe pse shumë të rinj e pranojnë se kanë piratuar diçka në 12 muajt e fundit, rreth një e treta e këtij grupi e ka bërë këtë “gabimisht”. Mbetet 21% që piraton qëllimisht.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e të rinjve në BE (60%) nuk e ka bërë këtë gjë asnjëherë.

Ka disa ndryshime të rëndësishme në normat e piraterisë mes vendeve. Në Maltë, për shembull, më shumë se 50% e të rinjve pranoi se kishin hyrë në një përmbajtje në mënyrë të paligjshme, ndërkohë në Gjermani, kjo shifër ishte 25%.

Vlen të theksohet se vetëm një pjesë e vogël e popullsisë përdor ekskluzivisht përmbajtje pirate. Pjesa më e madhe përdor një ndërthurje burimesh të ligjshme dhe të paligjshme. Edhe në këtë rast, ndryshimet mes vendeve janë të dukshme.

Në Francë, thuajse 10% e përdoruesve piraton ekskluzivisht muzikë, ndërsa në Holandë, shifra është vetëm 1,5%.

 

Piratët e qëllimshëm, të arsimuar mirë

Një e dhënë veçanërisht interesante është se normat e piraterisë janë dukshëm më të larta te të rinjtë me nivel të mirë arsimor.

Në mesin e atyre që kanë diplomë universitare, 28% ka piratuar qëllimisht diçka në vitin e fundit. Kjo shifër është thuajse dyfishi krahasuar me ata që nuk kanë diplomë universitare, ose me arsim të mesëm. (15%).

Ndërsa kostoja përmendet shpesh si arsyeja e përdorimit të faqeve dhe shërbimeve pirate, studentët që punojnë kanë piratuar më shpesh (24%) se sa ata që nuk kanë një punë (18%). Ndoshta grupi i parë i jep më shumë vlerë parasë së fituar me mund, ndërsa i dyti mbështetet financiarisht nga prindërit.

 

Arsyet e miratimit

Mundësia dhe leverdishmëria ekonomike vijojnë të jenë arsyet kryesore se pse shumë njerëz përdorin faqe dhe shërbime pirate. Më shumë se gjysma (55%) përmendi koston si faktorin parësor, ndjekur nga mungesa e mundësisë, për 25%, që e citoi si arsye kryesore.

Është interesante të vëresh se edhe “disponueshmëria” e tepërt mund të bëhet problem. Me përmbajtjet të shpërndara në disa shërbime abonimi, shikimi i filmave dhe spektakleve televizive në mënyrë të ligjshme është bërë i kushtueshëm. Kjo gjë u vu gjithashtu në dukje në raportin e BE-së.

“Edhe pse sot ka më shumë burime të ligjshme, shumëllojshmëria nënkuptonte që përmbajtja po përhapej në burime të shumta, duke i detyruar konsumatorët të bënin më tepër abonime, nëse dëshironin të ruanin aksesin në një sërë përmbajtjesh”, lexohet në raport.

Lidhur me këtë, disa njerëz iu drejtuan piraterisë, sepse një program televiziv që më parë mund ta shikonin ligjërisht, u hoq papritur nga platforma. Një i intervistuar, i cituar në raport, përshkroi përvojën e mëposhtme.

“Po shikoja një film me seri në Netflix, të cilin më pas e hoqën nga platforma. Duke qenë se doja ta përfundoja filmin, vijova të kërkoja në internet dhe përfundova në një faqe të paligjshme”.

 

Arsyet për të ndaluar

Mbajtësit e të drejtave të autorit do të jenë më së shumti të interesuar të dinë se çfarë do t’i bënte njerëzit ta mendonin dy herë shkarkimin apo shikimin në streaming të përmbajtjeve në faqe pirate.

Në përgjigje të pyetjes, shumica e njerëzve (53%) përmendën si arsye kryesore rrezikun e viruseve dhe malware. Arsye të tjera të mundshme janë vjedhja e kartës së kreditit (49%), rreziku për t’u kapur dhe për t’u ndëshkuar (36%) apo fakti se krijuesit dhe shërbimet ligjore mund të dëmtohen financiarisht (26%).

Mendimi se paratë e fituara nga faqet dhe shërbimet pirate mund të shkonin për krimin e organizuar nuk ishte shumë i përhapur. Në fakt, shumë njerëz e kanë të vështirë të besojnë se kjo gjë është e vërtetë.

“Në përgjithësi, pjesëmarrësit nuk e kishin menduar kurrë se mund të kishte një lidhje mes krimit të organizuar dhe burimeve të paligjshme të përmbajtjeve. Në fakt, kur çështja u ngrit në komunitete, pati skepticizëm të konsiderueshëm mbi ekzistencën e një lidhje të tillë”.

Në përgjithësi, raporti EUIPO ofron disa përfundime rëndësishme. Ndërsa pirateria vazhdon të ulet te të rinjtë, ajo mbetet problem i rëndësishëm. Tendencat e reja si rritja e shërbimeve të abonimit, mund të krijojnë, në fakt, një brez të ri piratësh.

/ TorrentFreak

 

 

You may also like