NJU-JORK – Miklov: Jam i emocionuar që ABNA-SE do të ketë selinë në Sofje

by admin
Spread the love

NJU-JORK, 23 shtator /ATSH-BTA/ Ministri i Jashtëm bullgar Nikolai Milkov foli në Samitin e Dytë për Informim dhe Demokraci të mbajtur me iniciativën e Francës në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 22 shtator në Nju-Jork, sipas ministrisë së Punëve të Jashtme.

Nisma kërkon të identifikojë sesi dezinformimi kërcënon qëndrueshmërinë e shoqërive demokratike dhe të gjejë mjete për të garantuar lirinë e medias.

Milkov në fjalimin e tij në samit theksoi se “Bullgaria mbështet Iniciativën e ”Mirëbesimit në Gazetari” (Journalism Trust Initiativ) si pjesë e partneritetit për informim dhe demokraci”.

“Përkeqësimi i vazhdueshëm i lirisë së medias në mbarë botën nuk është vetëm një tendencë alarmante kur bëhet fjalë për sigurimin e lirisë së shprehjes, por një kërcënim serioz për mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut. Fatkeqësisht, jetojmë në kohën kur tentohet të heshtet, kontrollohen mediat ose frenohen të drejtat për informacion të besueshëm, ku në mbarë botën këto disinformime përdoren si armë. Rritja e paprecedentë e lajmeve dhe narrativave të rreme gërryen pavarësinë dhe pluralizmin e mediave dhe, për rrjedhojë, minon themelet e vetë demokracisë”, tha Milkov.

“Nga ana tjetër, ne shohim synimet e forta të komunitetit ndërkombëtar për të kundërshtuar përhapjen e fushatave të dezinformimit në mbarë botën. Jam i kënaqur që Bullgaria është pjesë e këtyre përpjekjeve. Vendi im mirëpret dhe mbështet të gjitha angazhimet që synojnë forcimin e bashkëpunimit në liri të medias dhe siguri të gazetarëve”, shtoi ai.

”Në lidhje me këtë, jemi shumë të emocionuar që Asociacioni i Agjencive Ballkanike të Lajmeve – Evropa Juglindore (ABNA-SE) do të jetë me seli në Sofje dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së shtypit bullgar do të veprojë si sekretar i Përgjithshëm për një periudhë tre vjeçare. Udhëheqja e agjencisë do të ketë si prioritet bashkëpunimin në luftën kundër lajmeve të rreme”, theksoi ministri i Jashtëm bullgar.

Milkov theksoi gjithashtu se ”autoritetet bullgare po fokusohen në të njëjtat prioritete në nivel kombëtar. Në mes të pandemisë, ne kemi miratuar një plan kombëtar me objektivat kryesore të mbrojtjes së gazetarëve nga kërcënimet dhe ngacmimet, duke përfshirë transparencë të plotë të këtij shërbimi publik”.
Ministri i jashtëm bullgar tha se vendi është gjithashtu anëtar i Grupit të Miqve për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Koalicionin për Lirinë e Medias. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Lexo lajme interesante

You may also like