NJU JORK – Guterres: Protektorati i OKB-së në Gaza nuk është zgjidhje

by admin
Spread the love

NJU JORK, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres beson se Rripi i Gazës nuk duhet të bëhet protektorat i Kombeve të Bashkuara pas përfundimit të luftës.

“Unë nuk mendoj se një protektorat i OKB-së në Gaza do të ishte një zgjidhje”, tha dje Guterres në një konferencë për shtyp.

Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për një fazë tranzitore që përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet arabe.

“Të gjithë duhet të bashkohen për të krijuar kushtet për një tranzicion, duke lejuar një Autoritet Palestinez të forcuar, për të marrë përgjegjësinë në Gaza dhe më pas, bazuar në këtë, për të lëvizur përfundimisht në një mënyrë të vendosur dhe të pakthyeshme në një zgjidhje me dy shtete, e bazuar në parimet që janë vendosur kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe të cilat unë i kam theksuar herë pas here”, tha ai.

Grupi islamik palestinez Hamas mori pushtetin në rajonin bregdetar me forcë në vitin 2007.

Një zgjidhje me dy shtete parashikon një shtet të pavarur palestinez që bashkëjeton me Izraelin.

“Unë mendoj se ne kemi nevojë për një qasje shumëpalëshe në të cilën vende të ndryshme, subjekte të ndryshme do të bashkëpunojnë”, tha ai.

“Për Izraelin, sigurisht, SHBA-ja është garantuesi kryesor i sigurisë së tij. Për palestinezët, vendet fqinje dhe arabe të rajonit janë thelbësore”, tha  sekretari i përgjithshëm i OKB-së.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like