Njeriu i ndeshjeve të mëdha, Calhanoglu është shpëtimtari i Simone Inzaghit

by admin
Spread the love

U rikthye të shënojë në Champions League pas 6 vitesh dhe e bënë këtë gjë në një ndeshje vendimtare ndaj Barcelonës. Bëhet fjalë për Hakan Calhanoglu që tek Interi është kthyer në njeriun e ndeshjeve të mëdha. Për herë të fundit mesfushori turk kishte realizuar në kompeticionin më prestigjioz europian për klube në 14 shtator 2016. Atëherë ai aktivizohej për Bayer Leverkusen dhe ndëshkoi CSKA Moscoë.

Hakan Calhanoglu firmos me golin e tij ndaj Barcelonës një fitore për zikaltrit që vjen në një nga momentet më delikate të ekipit. Por nëse kthejmë kokën pas, ky precedent është përsëritur disa herë. Numri 20 i zikaltërve ka lënë gjurmë në shumë sfida vendimtare.

Sezonin që lamë pas, Calhanoglu realizoi 7 gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Italisë, duke i shtuar këtyre shifrave edhe 13 asist. Katër nga shtatë golat e parë me zikaltrit mesfushori turk i ka realizuar me emrat big të Serie A. Fillimisht viktimë është ish-ekipi i tij Milani me një 11-metërsh, e më pas Napoli e Roma, me këta të fundit që e pësojnë direkt nga një goditje këndi. Golave me peshë i shtohet edhe një penallti e realizuar ndaj Juventusit në kampionat. Ky ishte goli i vetëm i “Derbit të Italisë” që i rezervoi zikaltërve pikët e plota.

Qershia mbi tortë megjithatë, vjen në finalen e Kupës së Italisë, ku Calhanoglu realizon sërish ndaj Juventusit, po me një 11-metërsh. Këtë herë goli sjell barazimin e shifrave, që paraprin një përmbysje spektakolare të Interit. Për këtë arsye, Hakan Calhanoglu është kthyer te zikaltrit si njeriu i ndeshjeve të mëdha dhe golat e tij kanë shije jo vetëm pikësh për Interin, por edhe kupe.

You may also like