Një valë e re dezinformimi pritet në prag të zgjedhjeve në SHBA

by admin
Spread the love

Kompanitë e makinave të votimit ka të ngjarë të jenë në shënjestër të një valë të re dezinformimi që synon të diskreditojë rezultatet e zgjedhjeve ndërsa votuesit amerikanë shkojnë drejt qendrave të votimit të martën.

Zyrtarët amerikanë, duke përfshirë ata në agjencinë kryesore për sigurinë zgjedhore, atë mbi Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën (CISA), kanë hedhur poshtë një valë të vazhdueshme akuzash mbi këtë çështje, duke vënë në dukje se shumë prej tyre, i bëjnë jehonë pretendimeve të ngjashme, të hedhura gjithashtu poshtë, të lidhura me zgjedhjet presidenciale të 2020-ës.

Është një mesazh të cilit i ka bërë jehonë edhe Shtëpia e Bardhë.

“Ne besojmë se amerikanët mund dhe duhet të shkojnë në qendrat e votimit duke besuar se po bëhet gjithçka për t’u siguruar që këto janë zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta”, u tha gazetarëve të premten e kaluar John Kirby, koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike.

Por hulumtimi i ri nga firma e sigurisë kibernetike ‘Recorded Future’ zbulon se ka tregues se përpjekjet dezinformuese rreth makinave të votimit dhe sistemeve të votimit, ka të ngjarë të shtohen në ditën e zgjedhjeve dhe ditët që pasojnë, megjithëse përpjekjet nuk kanë gjasa të jenë në nivelin e dy viteve më parë.

“Recorded Future ka identifikuar tashmë pretendime në disa burime kryesore dhe alternative të mediave sociale, që sugjerojnë se teknologjitë … do të përdoren për të ‘manipuluar’ rezultatet e zgjedhjeve”, tha kompania në një raport të publikuar të hënën.

“Ka të ngjarë që keqinformimi apo dezinformimi rreth teknologjisë së votimit do të jetë më i spikatur në ato zona që po përballen me gara të ngushta, të tilla si zgjedhjet e guvernatorit në Arizona, zgjedhjet e guvernatorit në Pensilvani dhe gara për vendet e Senatit në shtetin Xhorxhia”, thuhet në raport.

Shtetet e tjera që mund të përballen me fushata intensive dezinformimi që synojnë të cënojnë besueshmërinë e sistemeve të votimit përfshijnë Uiskonsin, Miçiganin, Nevadën dhe Floridën, thuhet në raport.

Deri më tani, sipas kompanisë “Recorded Future”, shumica e përpjekjeve për dezinformim e kanë origjinën në Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e tyre kanë patur si objektiv vetëm tre kompani: Dominion Voting Systems, Smartmatic dhe Election Systems & Software (ES&S).

Sipas organizatës jofitimprurëse ‘Verified Voting’, që mbështet përdorimin e teknologjive të sigurta zgjedhore, sistemet e kompanisë Dominion do të përdoren në 21 shtete dhe 1,200 qendra votimi në zgjedhjet e 8 nëntorit, 2022.

Sistemet e kompanisë ES&S po përdoret në 39 shtete dhe në Uashington, D.C. Makinat e kompanisë Smartmatic po përdoren vetëm në Los Angeles në Kaliforni.

Të tre kompanitë kanë hedhur poshtë akuzat e mëparshme për shkelje. Kompania Dominion ka shkuar deri aty sa ka ngritur edhe një padi për shpifje kundër kanaleve televizive Fox News, One America News Network (OAN) dhe Newsmax, duke i akuzuar ato për përhapjen e pretendimeve të rreme nga ish-presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

“Pretendimet e pabaza në lidhje me Dominion Voting Systems dhe zgjedhjet e nëntorit 2020 janë hedhur poshtë plotësisht nga autoritetet zgjedhore, ekspertët e çështjeve dhe kontrolluesit e fakteve nga palë të treta”, shkroi kompania në faqen e saj të internetit të përditësuar të dielën.

Përpjekjet e kompanisë Dominion, megjithatë, nuk kanë penguar fushatat e reja të dezinformimit të zënë rrënjë.

“Kompania Recorded Future ka identifikuar pretendime të rreme se teknologjitë e kompanisë Dominion do të manipulohen qëllimisht për zgjedhjet e 2022-shit në shumicën e mediave kryesore dhe alternative”, tha firma e sigurisë kibernetike në raportin e saj të hënën, duke cituar akuzat në Facebook, Instagram, Telegram, Gab, Patriots dhe 4chan.

Hulumtuesit gjetën më tej disa akuza që mbështeteshin nga dy organe propagandistike të lidhura me Rusinë, Agjencia e Informacionit Red Spring dhe Qendra për Kërkime mbi Globalizimin.

Sipas raportit të firmës Recorded Future, kompania ES&S, i përdorur gjerësisht në një numër shtetesh të fushëbetejës zgjedhore si Arizona, Pensilvania dhe Florida, nuk i është nënshtruar të njëjtit nivel akuzash si Dominion, por ka tërhequr zemërimin e “platformave alternative të mediave sociale të ekstremit të djathtë dhe ultrakonservatorë dhe ” bloget e lajmeve”.

Pavarësisht pranisë së saj të vogël në SHBA, kompania Smartmatic ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme.

“Recorded Future zbuloi raste të shumta të keqinformimit dhe dezinformimit që vinin në shënjestër kompaninë Smartmatic me pretendime korrupsioni dhe mashtrimi”, thuhet në raport, duke treguar postime në Gab, Patriots[.]win dhe SouthFront, një media propagandë e lidhur me shërbimet e sigurisë ruse.

Një kompani e katërt e makinave të votimit dhe sistemeve të votimit, Scytl, gjithashtu i është nënshtruar thashethemeve edhe pse nuk po përdoret në asnjë juridiksion të SHBA-ve për votimin e së martës, tha firma Recorded Future.

Ndonjëherë, të katër kompanitë kanë qenë në shënjestër së bashku.

“Këto copa mbeturinash së bashku kanë vjedhur zgjedhjet tona,” shkruante Joe Oltmann, aktivist konservator dhe bashkë-prezantues i podkastit ‘Conservative Daily’, në kanalin e tij Telegram muajin e kaluar. “Ata kanë ricikluar kodin, kanë manipuluar votat dhe kanë shkatërruar zërat tanë duke vjedhur zgjedhjet në çdo nivel”.

Firma ‘Recorded Future’ nuk është vetëm në paralajmërimet e saj.

Partneriteti i Integritetit Zgjedhor (EIP), i cili e quan veten një koalicion kërkimor jopartiak, tha në një raport të publikuar të shtunën se figurat ndikuese në internet që u japin shtytje teorive të konspiracionit të mashtrimit zgjedhor “vazhdojnë të lulëzojnë në platformat kryesore dhe alternative, duke krijuar audiencë të konsiderueshme”.

Për momentin, zyrtarët amerikanë po bëjnë ç’është e mundur për të tërhequr vëmendjen tek përpjekjet për dezinformim, duke nxitur faqen elektronike të agjencisë CISA-s “Rumor Control”, si dhe faqet e ngjashme të kontrollit të fakteve të drejtuara nga shtete individuale.

Ekspertët e sigurisë kibernetike nga një sërë kompanish të rëndësishme të sektorit privat janë përpjekur gjithashtu të zbusin shqetësimet.

“Nuk shoh asnjë tregues se teknologjia është komprometuar, ose që duhet të humbasim besimin në sistemin zgjedhor,” i tha Zërit të Amerikës Pat Flynn, kreu i Grupit të Programeve të Avancuara në Trellix.

“Ka një përqëndrim të vazhdueshëm te zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore,” tha ai, duke treguar fushatat e fundit në Arizona, Pensilvani dhe gjetkë.

“Kryesisht procesi zgjedhor është i sigurt,” tha ai.


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like