Një marrëveshje pa firma: Si komentohet Ohri nga Escobar?

by admin
Spread the love

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se marrëveshja e arritur në Ohër dy ditë më parë është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe se ajo është ligjërisht e detyrueshme, edhe pse nuk është nënshkruar.

Në një konferencë për media online, ai theksoi se për të arritur aty është dashur shumë guxim dhe vizion nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Kjo marrëveshje është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët. Edhe pse nuk është nënshkruar, është një marrëveshje në çdo kuptim”, tha ai dhe saktësoi se do të thotë në çdo kuptim.

Sipas tij, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të qartë se palët janë angazhuar dhe se zbatimi i marrëveshjes do të ndikojë në rrugën evropiane të të dyja palëve.

Elementet kryesore të aneksit

“Marrëveshja është një rrugë drejt pajtimit të Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që të sqarojmë se si do të veprojnë dy palët. Zbatimi duhet të fillojë menjëherë dhe të dyja palët do të përfitojnë prej tij. Besoj se më të rëndësishmet janë integrimet euroatlantike. Ne do të bëjmë përparim vetëm nëse marrëveshja zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Siç theksoi diplomati amerikan, Serbia duhet të punojë në elementet kyçe të aneksit.

“Për të dyja palët është e rëndësishme që të zbatohet gjithçka që ka mbetur nga Marrëveshja e Brukselit. Kjo pritet nga të dyja palët. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ta dhe partnerët tanë”, tha Escobar.

I pyetur nëse në takimin e Ohrit është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ai tha se nuk mund ta thotë këtë, por se është diskutuar gjithçka që ka në propozimin evropian.

You may also like