Një fazë e parë perfekte, AF Elbasani mposht Delvinën dhe shkëputet në krye

by admin
Spread the love

AF Elbasani ka mbyllur në mënyrë perfekte fazën e parë në Kategorinë e Tretë, duke koleksionuar 7 fitore në po aq takime të luajtura. Skuadra e teknikut Gentian Stojku ka mposhtur ditën e sotme 3-0 rivalët e Delvinës dhe falë këtij suksesi është shkëputur e vetme në kuotën e 21 pikëve në krye të renditjes.

Verdheblutë kanë zhbllokuar ndeshjen në pjesën e parë me Micin, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës kanë shënuar edhe 2 gola të tjerë me Micin dhe Çotën. AF Elbasani merr fitoren e radhës në kampionat dhe fiton titullin simbolik të kampionit të dimrit.

Skuadra e Stojkut ka treguar se nuk ka rivalë në këtë kategori, ku i ka mposhtur bindshëm të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në turne, duke shënuar 36 gola në 7 ndeshje të luajtura.

E vetmja statistikë negative e AF Elbasanit në Kategorinë e Tretë është goli i pësuar ndeshjen e kaluar përballë Skraparit, goli i vetëm i pësuar në këtë kampionat.

Tifozët elbasanas nuk e kanë lënë në baltë skuadrën edhe në këtë kategori, por tashmë duket se ngjitja në Kategorinë e Dytë është vetëm një formalitet. / Oversport.tv

You may also like