Ngrohja globale: Kur është e logjikshme mbjellja e pemëve?

by admin
Spread the love

Pemët mund të jenë aleate të fuqishme në luftën kundër ngrohjes globale, sepse mund të “luftojnë” dioksidin e karbonit. Por mbjellja e disa miliardave më shumë, nuk do të jetë e mjaftueshme për të shpëtuar klimën.

Pemët janë madhështore, e jo vetëm për t’u parë. Ato ofrojnë gjithashtu lëndë drusore për ndërtim, oksigjen për të marrë frymë dhe habitat për botën e egër. Por fakti që ato përthithin dioksidin e karbonit – gazin që del nga djegia e karburanteve – i fut pemët në kategorinë e “shpëtimtareve” për zgjidhjen e krizës së klimës.

Pyjet në botë izolojnë rreth 16 miliardë tonë metrikë dioksid karboni çdo vit, thuajse tri herë më shumë se ato evropiane. Por këto zona të pyllëzuara po zvogëlohen me një shpejtësi alarmante. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, rreth 10 milion hektarë pyje humbasin çdo vit, kryesisht për shkak të zgjerimit të bujqësisë. Dhe kur pemët janë prerë, pjesa më e madhe e karbonit që ato depozitojnë, shpërndahet në atmosferë.

Në përpjekje për të kompensuar dëmin, në dekadat e fundit janë krijuar dhjetëra nisma që synojnë mbjelljen e miliarda pemëve, me qëllim përthithjen e sa më shumë CO2 nga ajri. Qeveritë në të gjithë botën, si dhe kompani si Microsoft dhe Nestle, kanë bërë premtime për mbjelljen e pemëve për të shtuar mbulesën pyjore.

“Është e vërtetë që kjo teori ka mundur të fitojë vëmendjen e publikut dhe është mirë që njerëzit kanë nisur të mendojnë për mbjellje pemësh. Por nga ana tjetër, mendoj se ky mesazh e ka thjeshtuar situatën më shumë se ç’duhet” – thotë shkencëtarja Kate Hardwick, nga “Millennium Seed Bank Partnership”, në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ripyllëzimi është një nga zgjidhjet, por nuk na ndihmon shumë që të përqendrohemi vetëm tek pemët”.

Sa e përmirësojnë pemët situatën aktuale?

Gjatë ekzistencës së tyre, pemët thithin dioksidin e karbonit, për ta fotosintetizuar dhe për ta mbajtur atë të bllokuar tek gjethet, rrënjët, trungu, degët dhe në tokë. Por se sa dioksiod karboni mund të eleminohet nga atmosfera duke mbjellë miliona pemë shtesë, kjo është ende temë debati midis shkencëtarëve.

Hulumtimet kanë treguar se mbjellja e pyjeve të rinj dhe rivitalizimi i atyre ekzistues, mund të përthithë mes 40 dhe 100 miliardë tonë CO2. Por kjo, vetëm në rastet kur pemët e reja arrijnë pjekurinë, e cila mund të zgjasë me dekada.

Një tjetër studim i realizuar nga “Royal Society” në Mbretërinë e Bashkuar, arriti në përfundimin se ripyllëzimi mund të largojë brenda një viti, 3-18 miliardë tonë CO2 nga ajri, ndërsa menaxhimi i përmirësuar i pyjeve mund të kursejë 1-2 miliardë tonë.

Susan Cook-Patton, shkencëtare me eksperiencë të gjatë në rijetësimin e pyjeve, pjesë e organizatës amerikane “Nature Conservancy”, thotë se është e vështirë të arrish në shifra konkrete.

Ripyllëzimi është “padyshim një mundësi e fuqishme”, thotë ajo. Por së pari duhet gjetur hapësirë e disponueshme, aty ku njerëzit duan që të mbillen pemë.

Më pas fidanët duhet të monitorohen dhe të tregohet kujdes për to për një kohë të gjatë, në mënyrë që të mund të rriten si pemë të shëndetshme. Nëse projektet e mbjelljes së pemëve nuk janë planifikuar siç duhet, ato ka të ngjarë të mos kenë sukses në terma afatgjatë, duke çuar në një shpërdorim të jashtëzakonshëm të burimeve.

Ripyllëzimi: Çfarë mund të shkojë keq?

Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar, Hardwick dhe shkencëtarë të tjerë në KEW, botuan 10 “rregulla të arta” për ripyllëzimin. Ajo thotë se përqendrimi nuk duhet të jetë vetëm në mbjelljen e një numri të madh pemësh, por më tepër në rikthimin e habitateve. Mbi të gjitha, ka kullota dhe laguna, që bllokojnë sasi të konsiderueshme karboni edhe pse zakonisht nuk kanë pemë.

Suksesi i një projekti varet gjithashtu nga mbjellja e pemëve të duhura në vendin e duhur, përndryshe rezultati mund të jetë i dëmshëm.

“Nëse mbillni pemë në toka të pasura me karbon atëherë në atë rast, ju jeni duke kontribuar në emetimin e karbonit.”

Një shembull tjetër që Hardwick tregon është mbjellja e përhapur e akacies së huaj dhe pishave në Afrikën e Jugut, gjë që zhvendosi florën vendase dhe shkaktoi mungesa të theksuara uji.

“Akaciet janë bërë jashtëzakonisht ‘pushtuese’. Banorët e Afrikës së Jugut po shpenzojnë tani miliona dollarë në vit duke u përpjekur t’i heqin” – tha ajo.

Në qytetin e Cape Town, i cili pothuajse mbeti pa ujë gjatë një thatësire të vitit 2018, mendohet se humbasin çdo vit rreth 55 miliardë litra ujë nga pemët jo-vendase.

Cila është rruga e duhur për trajtimin e pyjeve?

‘Rregullat e arta’ të studiuesve të KEW përcaktojnë se mbrojtja e pyjeve ekzistuese duhet të jetë përparësia numër një. Kur bëhet fjalë për izolimin e karbonit dhe biodiversitetin, plantacionet e reja të pemëve nuk mund të përzihen me ekosistemet komplekse pyjore që janë zhvilluar ndër shekuj.

Hardwick thekson se çdo përpjekje ripyllëzimi duhet të përfshijë gjithashtu komunitetet vendase dhe t’i lejojë ata të përfitojnë ekonomikisht nga mbajtja e pemëve të paprekura, për shembull, përmes pylltarisë së qëndrueshme ose eko-turizmit.

Projektet e ripyllëzimit duhet të synojnë të përsërisin atë çka ishte natyrshëm atje më herët, sepse speciet e pemëve do të kenë më shumë të ngjarë të mbijetojnë nëse ato janë përshtatur me zonën. Hardwick rekomandon gjithashtu mbjelljen e një përzierje të specieve vendase dhe jo vetëm një varietet.

Monokulturat janë “të prekshme nga zjarri, dëmtimi prej stuhive dhe dëmtimit nga sëmundjet, ndërsa një përzierje e specieve do të jetë më e qëndrueshme” – tha ajo. Kjo qëndrueshmëri do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në të ardhmen, me pyje që rrezikohen nga ndryshimet klimatike, thatësira dhe sulmet e insekteve.

‘As edhe një zgjidhje e vetme për ndryshimet klimatike’

Pemët mund të jenë mjete të fuqishme të bllokimit të CO2, por shkencëtarët paralajmërojnë se nuk do të mbështeten tek pyjet për të zgjidhur krizën e klimës.

“Nuk ka asnjë zgjidhje” – thotë Cook-Patton. “Por nëse do të kishte një të tillë, do të ishte zvogëlimi i karburanteve fosile.”

Mbrojtja e pyjeve ekzistuese dhe mbjellja e pyjeve të reja – nëse bëhet siç duhet – do të jetë thelbësore. Por në disa raste, shton Cook-Patton, mund të jetë më mirë të bëni një hap prapa dhe ta lini natyrën të shërohet vetë.

“Ne na pëlqen të mbjellim pemë. Ndihemi mirë. Është kënaqësi ta bësh, por shpesh mund të jetë më e lirë, më efektive dhe më e lehtë vetëm duke i lënë pemët të ripërtërihen vetë.”/DW

You may also like