Ngritja, shkëlqimi dhe rënia e Feronikelit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Feronikeli ka fituar çdo titull të mundshëm në vitit e fundit duke dominuar ndaj çdo skuadre tjetër në elitën e futbollit të Kosovës. Skuadra nga Drenasi ishte “makth” për çdo kundërshtar, megjithatë si pasojë e problemeve të brendshme, “Industrialistët” janë duke garuar në Superligën e Kosovës këtë edicionn sa për “sy e faqe”.

Njëri prej klubeve më të sukseshme në vitet e fundit në futbollin e Kosovës padyshim se ishte Feronikeli. Klubi nga Drenasi ka fituar tri herë titullin e kampionit, si dhe tre herë Kupën e Kosovës, si dhe dy herë Superkupën e Kosovës, por tani gjërat janë në nivelin më të keq të mundshëm.

Me largimin e presidentit Naser Ramaj, klubi drenicas mbeti pa njërin prej donatorëve më të fuqishëm në futbollin e Kosovës, derisa kjo gjë la shumë pasoja.

Thuajse të gjithë futbollistët e skuadrës së parë u larguan nga “Rexhep Rexhepi”, derisa tani skuadra që drejtohet nga Faruk Elshani, po e vazhdon këtë edicion me futbollistë të rinjë, të cilët pavarësisht kushteve të rënda, po luajnë me motiv të lartë.

Feronikeli pas gjithë atyre sukseseve tani ka mbetur në “mëshirën e fatit”, derisa edhe mbështetja nga Komuna e Drenasit nuk është e mjaftueshme.

Poashtu, skuadra drenicase tashmë veçse është shumë pranë ta konfirmojë rënien në Ligën e Parë ku pas 22 ndeshjeve, ndodhet në vendin e fundit me vetëm 11 pikë të tubuara.

Tri herë kampion

Pa asnjë dyshim të vetëm, Feronikeli ishte një prej klubeve më të suksesshme në futbollin e Kosovës pas luftës.

Me shumë investime të bëra, klubit drenicas i ishte “shpërblyer” mundi.

Duke tubuar rreth vetes futbollistët më të mirë në vend, “Nikli” arriti të shpallej kampion në edicionet 2014/15, 2015/16 si dhe për të fundit herë në edicionin 2018/19.

Poashtu, “Industrialistët” e fituan tri herë edhe Kupën e Kosovës në edicionet 2013/14, 2014/15 dhe 2018/19.

Për të kompletuar gjithçka, Feronikeli kishte fituar edhe Superkupën e Kosovës dy herë në edicionet 2014/15 si dhe 2018/19.

Shkëlqimi në Evropë dhe miqësorja me Milanin

Përpos shkëlqimit në futbollin kosovar, Feronikeli mori pjesë edhe në garat evropiane ku u kualifikua në rundin eliminator të Ligës së Kampionëve poashtu edhe në Ligën e Evropës.

Në edicionin 2019/20, “Nikli” kaloi raundin preliminar në Ligën e Kampionëve pas dy fitoreve 1:0 ndaj Lincoln Red Imps dhe 2:1 ndaj Santa Coloma.

Në rundin e parë të Ligës së Kampionëve, Feronikeli u eliminua nga TNS përkundër se pati një paraqitje të mirë në dy ndeshje, ku barazoi në Uells 2:2 dhe humbi në Kosovë 0:1.

Përveç kësaj, Feronikeli arriti ta sjellë edhe gjigantin italian, Milan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për një ndeshje miqësore, ku u mposhtë 0:2.

Elshani: Po garojmë që të mos falimentojë klubi

Faruk Elshani është trajneri që po e drejton Feronikelin këtë edicion dhe po i motivon futbollistët e rinjë në skuadër.

Në një bisedë me FrontOnline, Elshani ka thënë se kjo situatë është shumë e vështirë.

Elshani thotë se gabimet i kushtuan Niklit me humbje të thellë - KOHA.net

“Është shumë e vështirë kur e dimë se nga klubi janë larguar shumë futbollistë, prej qershorit janë larguar diku 30 futbollistë. Po garojmë që të ekzistojmë dhe të mos falimentojë klubi. Synimet i kemi të bëjmë lojë të mirë dhe ta mbyllin kampionatin në mënyrë të rregulltë dhe në edicionin e ri të organizohemi”, ka thënë Elshani.

Për fund, ai tregoi se edhe gjendja financiare është tejet e rëndë.

“Për momentin nuk kemi ndonjë zgjidhje, por në edicionin e ri duhet të bëhet, ndryshe kështu nuk shkon”, përfundoi Faruk Elshani.

Futbollisti i talentuar i Feronikelit me ambicie të mëdha

Ndonëse 17-vjeçar, Laurent Xhylani është inkuadruar këtë edicion në skuadrën e parë të Feronikelit.

Mesfushori i krahut të majtë ka shkëlqyer në paraqitjet e tij me “Niklin”, ndonëse skuadra e tij është në gjendje të vështirë.

Ai thotë se paraqitja në Superligë është e vështirë, por që ai dhe bashkëlojtarët japin maksimumin.

“Duke marrë parasysh se ne si të rinjë jemi duke marrë pjesë për herë të parë në Superligën e Kosovës, është paksa e vështirë pasi jemi pa përvojë, por edhe pse e dimë se kemi ndeshje me futbollistë më me përvojë, mundemi ta japim nga vetja atë që ne mundemi më së miri dhe maksimumin në përgjithësi”, ka deklaruar fillimisht mesfushori i talentuar.

May be an image of 3 people, people playing football and grass

Në vazhdim të kampionatit, Xhylani thotë se nuk do të lejojnë që klubi të “shuhet”.

“Si skuadër e Feronikelit, do të vazhdojmë të angazhohemi deri në fund të edicionit dhe pa marrë parasysh rrethanave të vështira, nuk lejojmë që ky klub me shumë trofe dhe traditë të shuhet”, theksoi ai.

Për fund, mesfushori drenicas synon daljen në Evropë.

“Sa i përket synimeve të mia, si fëmijë kam pasur dëshirë t’i mbrojë ngjyrat e Feronikelit dhe për këtë jam shumë i lumtur që kjo ëndërr më është bërë realitet. Do të vazhdoj ta jap maksimumin, por më vonë synoj të depërtojë edhe në tregun ndërkombëtar”, përfundoi Laurent Xhylani. /frontonline/

You may also like