Fjala e mbrëmshme e Vuçiqit, ishte në vazhdën e politikës së njohur të destabilizimit dhe shkatërrimit të Kosovës si shtet.
Ai zbuloi këto pika:
1. U ka shkruar letra të veçanta pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, me kërkesë që ta minojnë çdo proces të integrimit a anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian,
2. Do t’i drejtojë kërkesë KFOR-it për të lejuar kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë, sipas rezolutës 1244 të KS të OKB-së,
3. Inkurajoi serbët lokalë të rezistojnë dhe të minojnë stabilitetin e Kosovës, me barrikada e forma të tjera të mosdëgjueshmërisë e rebelimit,
4. Garantoi se ndihma e Serbisë për ta do të jetë në pajtim me sloganin “Nuk ka dorëzim.” Ndërsa parulla “Nuk mund ta durojnë më tutje zullumin” ishte asocim me kohët e kaluara ( “buna protiv dahija” e që arrin deri te justifikimi i gjenocidit serb në Bosnje.
5. Pohoi se të gjithë serbët e larguar nga insitucionet e Kosovës tashmë marrin rroga nga Serbia, plus “shtesën kosovare” prej 50 %.
6. Fotografitë e prezantuara ishin në funksion të mobilizimit nacional-shovenist si në vitet 1980-të, me fotot e Gjorgje Martinoviqit, gruas me kallashnjikov në fshatin Prekallë dhe morbiditeteve të tjera propagandistike serbe, të cilat kombin serb e histerizojnë deri në amok.
Konkudim: Fatkeqësisht qeveria Kurti-Osmani ka hyrë në skemën ruso-serbe të konfliktit dhe e ka humbur besimin e faktorëve ndërkombëtarë. Dështimet me targat dhe me shtyrjen e zgjedhjeve në veri e kanë bërë të duket e pafuqishme dhe e vetmuar.
Kjo e ka trimëruar edhe më shumë Vuçiqin dhe Serbinë. Tash po duan ukrainizimin e Kosovës dhe më tutje federalizimin e saj. E vetmja mundësi që të ndalet disi agresioni i ri serb kundër Kosovës është nëse e ndalë SHBA-ja e NATO.