Nga 1 korriku do të rritet çmimi i rrymës elektrike në Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love

Nga 1 korriku, TVSH-ja e energjisë elektrike do të kthehet në 18 për qind, njoftoi Qeveria, ndërsa pritet rritje e faturave. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, në intervistë për mediat, tha se ulja e TVSH-së vitin e kaluar nga 18 në 10 për qind kishte për qëllim zbutjen e situatës me krizën energjetike dhe ishte një nga propozimet e Qeverisë.

“Atëherë kemi bërë të ditur se TVSH-ja gradualisht do të kthehet në 18 për qind sepse nuk duam të dëmtojmë pjesën e të ardhurave të buxhetit. Tani po bëhen analizat përfundimtare nëse do të mbetet në 10 apo do të kthehet në 18 për qind, duke u kujdesur që barra mos të bie tërësisht mbi qytetarët”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

Ministria e Financave, si përgjegjëse për politikën tatimore, nuk jep informacione konkrete për shkak se ministri është në udhëtim pune. Rritja e mundshme e TVSH-së për energjinë elektrike nga 10 në 18 për qind nuk është komentuar as nga Komisioni Rregullator i Energjetikës sepse thonë se nuk është në kompetencë të tyre. Në kulmin e krizës energjetike, në vitin 2011, Qeveria vendosi të ulë normën e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5 për qind. Ky vendim ishte i vlefshëm deri në fund të vitit të kaluar. Nga fillimi i vitit 2023 deri më 30 qershor, sipas planit, norma e TVSH-së për energjinë elektrike është 10 për qind, ndërsa sa do të jetë nga korriku do të dihet në fund të qershorit kur KRRE ta shpallë vendimin. Por për të ndryshuar TVSH-në e energjisë elektrike për amvisëritë, duhet të ndryshohet edhe ligji. Në ndërkohë, kompanitë energjetike kanë nisur përllogaritjen e shpenzimeve të tyre, që do t’i paraqesin tek Rregullatori dhe që kanë ndikim të madh në çmimin përfundimtar që e paguajnë qytetarët. Gjithnjë e më të zëshme po bëhen njoftimet se nga korriku do të rikthehet tarifa e lirë ditore për amvisëritë. /Alsat.mk

You may also like