Netflix pushon nga puna edhe 300 punonjës, ndërkohë që rritja e të ardhurave ngadalësohet

by admin
Spread the love

Netflix pushon rreth 300 punonjës të tjerë në të gjithë kompaninë. Shkurtimet, të cilat përfaqësojnë rreth 3% të totalit të punonjësve, vijnë një muaj pasi shoqëria e streaming eliminoi rreth 150 pozicione, për shkak të rënies së numrit të abonentëve dhe përdoruesve të rinj.

“Sot, për fat të keq, ne pushuam nga puna 300 persona nga stafi ynë, – tha Netflix në një deklaratë të enjten. – Ndërkohë që ne vazhdojmë të investojmë në mënyrë të konsiderueshme në biznes, kemi bërë këto ndërhyrje, që kostot tona të rriten në përputhje me rritjen tonë më të ngadaltë të të ardhurave.

Ne jemi shumë mirënjohës për gjithçka që ata kanë bërë për Netflix dhe po punojmë për t’i mbështetur në këtë tranzicion të vështirë”.
Netflix i paralajmëroi investitorët në prill se do të reduktonte rritjen e shpenzimeve në dy vitet e ardhshme.

Spencer Neumann, drejtuesi financiar i kompanisë, deklaroi në një mbledhje të kompanisë në prill se Netflix po përpiqet të jetë “i matur” në lidhje me kthimin një hap pas, për të pasqyruar realitetin e biznesit të tij. Megjithatë, kompania planifikon ende të investojë shumë në platformë, duke përfshirë rreth 17 miliardë dollarë në përmbajtje.

Bashkëthemeluesi i shoqërisë, Reed Hastings, në një telefonatë, tha se kompania po merr në konsideratë nivele çmimesh më të ulëta, të mbështetura nga reklamat, në përpjekje për të tërhequr abonentë të rinj.

Netflix po punon edhe për të kufizuar fenomenin e ndarjes së fjalëkalimeve. Përveç 222 milionë familjeve që paguajnë, më shumë se 100 milionë familje përdorin shërbimin streaming nëpërmjet ndarjes së llogarive, tha kompania. /CNBC

You may also like